Sergio Ramos dhe Pilar Rubio do të martohen të shtunën e 15 qershorit në Katedralen e Sevilla. Në këtë ditë të shënuar për ta do të jenë pjesëmarrës disa nga fytyrat më të shquara të sportit, muzikës dhe televizionit. Ceremonia premton të jetë kulmi festiv i vetë protagonistëve, të cilët kanë përgatitur gjithçka me përkushtim të veçantë. Çifti ka menduar që të gjithë të ftuarit ta shijojnë lirshëm gjithçka, pa u kufizuar se ndonjë aparat fotografik mund t’i kthejë ato në “çështje debati” të mediave rozë.
Më shumë se 400 të pranishëm do të jenë dëshmitarë të martesës së kapitenit të Real Madridit me partneren e tij, me të cilën ka tre fëmijë. Sergio Ramos i ka ftuar të gjithë bashkëlojtarët dhe stafin e Real Madridit, me Florentino Perez në krye, me të cilin pohoi të ketë një marrëdhënie si babai me të birin. Trajneri Zinedine Zidane është, gjithashtu, i ftuar, si dhe miqtë e mëdhenj të qendërmbrojtësit në dhomat e zhveshjes: Lucas Vázquez, Keylor Navas dhe Luka Modric. Me to dhe familjet e tyre përkatëse ka kaluar pushimet në Ibiza, siç tregohet në rrjetet sociale.
Nga shokët e kombëtares spanjoll ka nisur ftesa për Gerard Pique dhe Shakira, Jordi Alba dhe Romarey Ventura, Sergio Busquets dhe Elena Galera. Këto janë lojtarët e Barcelonës, që mbajnë prej vitesh një marrëdhënie të ngushtë me Ramos. Nga ana tjetër, është ftuar edhe trajneri Luis Enrique Martinez, por problemet personale, që e penguan të mos jetë në stol kundër Suedisë, pritet t’ia bëjnë të pamundur pjesëmarrjen në dasmë. Aty do të jetë Vicente del Bosque, me të cilin Ramos arriti sukseset më të mëdha me “La Roja”.
Ish-lojtarët e futbollit, të ftuar nga kapiteni i “Los Blancos”, janë: Joaquín Sánchez, Roberto Carlos, Ronaldo Nazario, Raúl González dhe Fernando Hierro. Edhe Julio Baptista do të jetë atje, ashtu sikurse pritet të mos mungojë as David Beckham dhe Victoria. Një rast i veçantë është ai i Iker Casillas dhe Sara Carbonero, të ftuar, por me një situatë delikate personale, që e bën të pasigurt praninë e tyre.
Nuk do të mungojnë edhe miqtë e Pilar Rubio, të nuses. Ajo ka ftuar të gjithë bashkëpunëtorët e saj në “El Hormiguero”, duke filluar nga Motos Pablo, me të cilin çifti festoi Vitin e Ri. Po ashtu, priten Marron, Carlos Latre, Jandro dhe emrat e tjerë, që bëjnë programin “Antena 3” çdo javë. Edhe artistët e mëdhenj do të takohen në dasmën e Ramos dhe Pilar Rubio. Një nga emrat më të spikatur është ai i Niña Pastori, i cili, përveç të qenit një mik intim i futbollistit, do të performojë gjatë ceremonisë së të shtunës në Katedralen e Sevilla.
Së bashku me të do të jenë këngëtarë të tjerë, si Marc Anthony, José Mercé, Canelita dhe Demarco Flamenco. Do të jetë edhe RedOne, krijuesi i himnit përkujtimor të “Decima” (Ligës së dhjetë të Kampionëve, fituar nga Real Madridi). Alejandro Sanz nuk mund të marrë pjesë në dasmë, sepse ka një koncert të planifikuar po atë ditë në “Wanda Metropolitano”. Nuk do të mungojnë Los Morancos dhe natyrisht AC / DC, që do t’i kënaqin të pranishmit me një performancë të shkëlqyeshme.