Vlera finale në treg nis me koston e prodhimit, e më pas çdo hallkë shton shpenzimet dhe marzhën e vet të fitimit. Një pjesë e prodhimeve në treg dhe dyqane ofrohen me çmime të larta, ndërsa shpesh për shkak të çmimeve të ulëta grumbulluese – fermerët edhe po hedhin prodhimet e tyre. Përfaqësues të fermerëve thonë se problem i plasmanit dhe shitblerjes po përsëritet nga viti në vit
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 4 qershor – Pemë perimet në vend për çdo vit po shënojnë një shtrenjtim të ndjeshëm të çmimeve në rrugën nga grumbullimi deri tek shitja. Apo me fjalë të tjera shënohet një dallim i madh së kostos nga fusha deri tek konsumatori i fundit. Vlera finale në treg nis me koston e prodhimit, e më pas çdo hallkë shton shpenzimet dhe marzhën e vet të fitimit. Një pjesë e prodhimeve në treg dhe dyqane ofrohen me çmime të larta, ndërsa shpesh për shkak të çmimeve të ulëta grumbulluese – fermerët edhe po hedhin prodhimet e tyre. Përfaqësues të fermerëve thonë se problem i plasmanit dhe shitblerjes po përsëritet nga viti në vit.
“Çmimi fillestar i shitblerjes së pemë-perimeve dallon edhe me 60-70 për qind deri në treg. Për këtë dallim të madh të çmimeve ekzistojnë më shumë arsye duke filluar nga kalimi edhe nëpër tre apo katër duar të sasive të blera e cila nga blerja toptan shpesh pastaj shpërndahet në gajbe dhe pastaj shitet me kilogram si dhe mungesës së një prodhimtarie të kontraktuar që shpesh nuk respektohet nga ana e tregtarëve dhe industrisë përpunuese”, thotë anëtari i Këshillit Drejtues të Federatës së Fermerëve të Maqedonisë, Memet Sinani. Sipas tij, në parim pak respektohet mundi dhe djersa e bujkut.
“Nëse flasim për shembull vetëm për grurin si një nga prodhimet më të rëndësishme bujqësore vetëm në vitin e kaluar kishim shtrenjtim të bukës nga 20 në 25 denarë, megjithatë çmimi grumbullues i grurit për një kilogram mbeti 10 denarë”, shpjegon më tej Sinani luhatjen e çmimeve në treg të një pjese të artikujve ushqimor, që më vonë nuk ju sjell benefit vetë fermerëve. Sipas tij, një problem më vetë për fermerët në vend është edhe fakti që vështirë po funksionojnë për vite më radhe qendrat grumbulluese të pemë-perimeve, fermerët edhe nëse prodhojnë sasi më të mëdha të prodhimeve të ndryshme bujqësore për to nuk ka treg vendor, ndërsa e kanë të vështirë të depërtojnë në tregun evropian. Pemë-perimet e vendit mund të shiten kryesisht në Ballkanin Perëndimor dhe shtetet fqinje mirëpo vështirë e kanë të depërtojnë në BE, për shkak se atje kërkohen prodhime të ambalazhuara, me standarde të caktuara , të kalibruara e kështu me radhë shton më tej ai.
Nga ana tjetër, agronomët thonë se në të gjitha shtetet e rajonit nga njëra anë kemi fuqinë e dobët të negocimit të prodhuesve, ndërsa nga ana tjetër kemi një fuqi ë madhe të tregtarëve që shpesh edhe diktojnë çmimet shitblerëse. Bile shtojnë se prodhuesit r vegjël kanë pak gjasa në treg përkundër lojtarëve të mëdhenj që kërkojnë sasi dhe cilësi më të madhe. Vlerësohet se edhe prodhimi në mungesë të një planifikim më serioz, si dhe mungesa e bashkëpunimit midis bujqve, prodhuesve , tregtarëve dhe industrisë përpunuese si dhe harxhimet e mëdha dhe rendimentet jo për të lëvduar të fermerëve në shtet gjithashtu karakterizojnë prodhimtarinë bujqësore vendore. “Një nga zgjidhjet e kësaj çështje do të ishte mbjellja e kulturave që do të sjellin fitim, apo zbatimi i politikave të mirëfillta bujqësore që do të orientojnë bujqit se çka të mbjellin dhe jo të mbjellin sipas asaj se çka mendojnë apo kanë dëgjuar se mund të ketë shitje”, thotë profesori universitar Ordan Çukaliev. Sipas tij, një pjesë e madhe e prodhimtarisë vendore bujqësore shquhet me fitim dhe rendimente të ulëta, andaj kërkohet edhe masa të ndryshme si përdorimi më i madh i teknologjisë që do të rris rendimentet dhe do të zvogëlojë koston e punës.
Ai shton më tej se edhe tregu i dikton çmimet në varësi edhe prej ofertës dhe kërkesës , ku nëse një prodhim ofrohet në sasi më të mëdha dhe nuk eksportohet, atij do ti ulet çmimi. Agronomët për çdo vit theksojnë se problemi me kalbjen e prodhimeve bujqësore, shitblerjen me çmime të ulëta mund të zgjidhet vetëm përmes bashkimit të punës së fermerëve në kooperativa me çka do të jenë edhe një partner serioz karshi tregtarëve, mirëpo një nivel i tillë organizimi shumë po jetësohet në bujqësinë vendore. Ndryshe, në shtet mungojnë edhe dukshëm edhe kapacitetet magazinuese që do të zbusin në mos të zgjidhin problemin e luhatshmërisë së çmimeve të tregut, si për fermerët, ashtu edhe për konsumatorët.
Nga Ministria e Bujqësisë thonë se po punohet në një projekt të madh të ndërtimit të tre qendrave grumbulluese në Shkup, Strumicë dhe Resnjë. Procedura është në rrjedhë e sipër dhe pret dritën e gjelbër nga Kuvendi që duhet të miratojë Ligjin për huazim. Kohë më parë, Banka Botërore ka miratuar 32 milionë euro për ndërtimin e qendrave grumbulluese – distributive. Gjithashtu, po ofrohet edhe tokë shtetërore dhe ndihmë tjetër e shtetit për ndërtimin e kapaciteteve përpunuese për llojet e ndryshme të prodhimeve bujqësore si përmes fondeve IPARD me koofinancim për ndërtimin apo rindërtimin e frigoriferëve, magazinave, qendrave grumbulluese dhe investimeve të ngjashme që duhet të ndihmojnë të tejkalohet problem me tepricat e prodhimeve bujqësore dhe shitjen e sigurt. (koha.mk)