Ka ardhur koha që ta ndalojmë dhunën ndaj grave dhe vajzave. E njëjta është e papranueshme, diskriminuese dhe patjetër duhet dënuar dhe parandaluar me çdo kusht. Fushatat në mbarë botën, siç është lëvizja #Metoo (Unë poashtu) lidhur me ngacmimin seksual, kanë ndihmuar në rritjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve, duke i mbajtur autorët përgjegjës; por sidoqoftë akoma duhet bërë punë më konkrete në këtë drejtim
Nga Klemens KOJA
Më 25 nëntor 2015, Raportuesi Special i Kombeve të Bashkuara (OKB) mbi dhunën ndaj grave, Dubravka Shimonoviç nga Kroacia, ju bëri thirrje shteteve anëtare të OKB-së të përqendrohen në parandalimin e vrasjeve të bazuara në gjini duke themeluar një platformë të quajtur Femicide Ëatch – për të ndjekur vrasjet e grave nga ana e burrave vetëm për shkak se janë femra. Vrasja e grave në nivel botëror identifikohet si shkaku kryesor i vdekjes së hershme të grave. Për më tepër, është manifestimi më ekstrem i dhunës mashkullore ndaj gruas. Sipas Studimit global të Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimet të vitit 2013, “një nga dy gra është vrarë nga partneri i saj intim ose ndonjë familjar.”
Dhuna ndaj grave dhe vajzave mbetet një nga shkeljet më të përhapura dhe të vazhdueshme të të drejtave të njeriut në nivel botëror. Hulumtimi global nga ana e Organizatës Botërore të Shëndetësisë ka treguar se një nga tre gra gjatë jetës së vet ka përjetuar dhunë psikologjike, fizike apo emocionale. Agjencia për të drejtat themelore e Bashkimit Evropian ka dalë me shifra të ngjashme pas sondazhit mbi dhunën ndaj grave, të kryer në vendeve e BE-së në vitin 2014. Sipas këtij sondazhi, 33 për qind e grave në vendet anëtare të BE-së kanë përjetuar dhunë fizike dhe/ose seksuale që nga mosha 15 vjeçare. Për më shumë, 22 për qind kanë përjetuar dhunë fizike dhe/ose seksuale nga partneri i tyre. Pesë për qind e tyre kanë raportuar raste përdhunimi.
Për fat të keq, asnjë shtet nuk mbetet i përjashtuar nga dhuna në bazë të gjinisë, përfshi këtu edhe shtetin tim. Në shtetin tuaj, Rrjeti nacional për t’i dhënë fund dhunës kundër grave dhe dhunës në familje në Raportin e vet vëzhgues të vitit 2016 lidhur me Ligjin për parandalim, mbrojtje dhe luftë kundër dhunës familjare, shkruan se “në periudhën ndërmjet vitit 2001 dhe gushtit të vitit 2016, janë regjistruar 32 raste të vrasjeve të grave. Pesëmbëdhjetë nga këto vrasje kanë ndodhur në periudhën ndërmjet viteve 2013 dhe 2016”. Në mungesë të qasjes së sistematizuar për regjistrimin e rasteve të vrasjes së grave, kjo e dhënë bazohet në dokumentet nga OJQ-të dhe raportimet e mediave.
Përkundër politikës së tanishme dhe masave legjislative paksa të përmirësuara, gratë në këtë vend janë të prekura në mënyrë jo proporcionale nga dhuna në familje dhe ajo e bazuar në gjini. Një studim nga viti 2014 nga Instituti për hulumtim sociologjik, politik dhe juridik në Shkup tregon se 82 për qind e të mbijetuarve të dhunës në familje janë gra, përderisa 93 për qind e burrave janë të dënuar për dhunë në familje. I paraqes këto të dhëna ekstreme me qëllim që të ilustrojë gjendjen në të cilën gratë dhe vajzat ende jetojnë sot.
Për shumë kohë të gjatë, heshtja dhe stigma kanë lejuar që dhuna kundër grave të vazhdojë. Eliminimi i dhunës kundër grave dhe vajzave është kontribues kyç për paqen dhe sigurinë globale. Si angazhim rajonal i sigurisë nga Kapitulli VIII i Kartës së OKB-së, OSBE punon në drejtim të eliminimit të dhunës kundër grave dhe përkrahë zbatimin e angazhimeve që rrjedhin nga Plani për veprim i OSBE-së për barazi gjinore i vitit 2004. Ka ardhur koha që ta ndalojmë dhunën ndaj grave dhe vajzave. E njëjta është e papranueshme, diskriminuese dhe patjetër duhet dënuar dhe parandaluar me çdo kusht. Fushatat në mbarë botën, siç është lëvizja #Metoo (Unë poashtu) lidhur me ngacmimin seksual, kanë ndihmuar në rritjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve, duke i mbajtur autorët përgjegjës; por sidoqoftë akoma duhet bërë punë më konkrete në këtë drejtim. Nga ngritja e vetëdijes deri në përgjigjet ndaj politikës përkatëse, trajnimit për zbatimin e ligjit dhe deri në ndihmën për viktimat, ekzistojnë shumë gjëra që mund t’i bëjmë për ta luftuar dhunën ndaj grave.
Dhuna ndaj grave nuk është më vetëm çështje e grave. Është një çështje e shqetësimit shoqëror në të cilin burrat dhe djemtë luajnë rolin kryesor. Edhe pse burrat e kanë rëndë të flasin për dhunën ndaj grave dhe dhunën në familje, është thelbësore që ata të jenë pjesë e aktiviteteve parandaluese, të sjellin ndryshim në qëndrimet dhe perceptimet. Përfshirja e burrave dhe djemve për të promovuar barazinë gjinore na lejon ne si shoqëri të thyejmë stereotipat dhe të transformojmë sjelljet.
Kur arrita në Shkup në shtator të këtij viti, më informuan lidhur me hapat e ndërmarra nga institucionet qeveritare dhe shoqëria civile për të parandaluar dhunën në familje, si dhe dhunën e bazuar në gjini. Mësova se janë miratuar politikat, legjislacioni dhe procedurat standarde të veprimit, janë themeluar mekanizmat e koordinimit, si dhe janë përforcuar kapacitetet profesionale. Miratimi i Planit nacional për veprim mbi zbatimin e Konventës së Stambollit vetëm disa javë më herët është po ashtu një hap i rëndësishëm në këtë drejtim.
Misioni i OSBE-së në Shkup i mbështet këto përpjekje. Çështjet e dhunës në familje do të përfshihen në masë të dukshme në aktivitetet tona për vitin 2019 me organet për zbatimin e ligjeve, gjyqësinë, shoqërinë civile dhe institucionet e pavarura. Vitin e ardhshëm, do të prezantojmë të dhëna mbi mirëqenien dhe sigurinë e grave nga një studim të kryer në mbarë shtetin. Ky studim do të na mundësojë të bëjmë krahasim ndërmjet të dhënave në dhjetë shtete nga hapësira e OSBE-së, i cili do të shërbejë si bazë për zhvillimin e mëtutjeshëm të aktiviteteve në mbështetje të Planit nacional për veprim mbi zbatimin e Konventës së Stambollit.
Për në fund, dua të them se këto 16 ditë të aktivizmit duhet të shërbejnë si rikujtim për secilin nga ne se jeta pa dhunë është parakusht për një jetë të denjë. Le të punojmë së bashku për t’i krijuar këto parakushte për shoqërinë në tërësi dhe për të gjithë pjesëtarët e saj.
(Autori është Ambasador i Misionit të OSBE-së në Shkup. Ky shkrim botohet me rastin e 16 ditëve të Aktivizmit kundër dhunës së bazuar në gjini dhe Ditës Ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Nga mediat në shqipe në Maqedoni, gazeta KOHA ka të drejtën ekskluzive për botimin e këtij shkrimi)