Trajneri Antonio Conte e bëri të qartë pas barazimit me Atalantën që “Interi e ka jorganin e shkurtër (organikën) dhe nuk mund t’i shtrijë më gjatë këmbët”, çka nënkupton se klubi zikaltër duhet të ndërhyjë urgjentisht në merkato, për të patur mundësi që të konkurrojë deri në fund me Juventusin për titullin e Serisë A.
Në fakt, drejtuesit e Interit e kanë në dorë “po”-në e Christrian Eriksenit për një kontratë deri në vitin 2024. Atyre u duhet të arrijnë marrëveshjen me Tottenhamin, për ta transferuar që në janar danezin. “Spurs” kërkojnë të paktën 20 milionë euro për kartonin e mesfushorit. Vetë 27-vjeçari, fillimisht ka kërkuar 20 milionë euro në vit, pasi të vishej zikaltër në verë, si lojtar i lirë, por duket se i ka ulur pretendimet, nëse marrëveshja arrihet me Tottenhamin në këtë sesion merkatoje. Menaxheri i tij, Martin Schoots, mësohet se ka rënë dakord për 7.5 milionë euro neto në vit, plus bonuset.
Mes të martës dhe të mërkurës janë parashikuar takime mes drejtuesve të Interit dhe përfaqësuesit të Eriksenit dhe Vidalit, pasi mbetet ende e hapur mundësia për të blerë nga Barcelona mesfushorin kilian. Gjithashtu i është hapur rrugë edhe afrimit të Ashley Young nga Manchester United, për të përforcuar krahun e majtë. Tek Interi mbeten në pritje edhe të Oliver Giroud, që është në fund të kontratës me Chelsea-n. Francezi kërkon kontratë deri në vitin 2022, por për momentin i ofrojnë vetëm një sezon e gjysmë.
Në fakt bisedimet me Giroud janë të lidhura edhe me situatën e Politanos, i cili me shumë mundësi do të shkëmbehet me Kessie-n e Milanit.