Nga “engjëll” në “djall” brenda një muaji, Sadio Mane fiket përpara kohe

Duket se stina e dimrit ka ardhur para kohe për senegalezin, Sadio Mane. Mirënjohja dhe respekti i përkasin së shkuarës, pasi kambanat kanë filluar të bien gjithmonë e më shumë nën strehën e “Allianz Arena”-s.

Sulmuesi i ardhur me bujë nga Liverpuli, jo vetëm nuk po ngushton hapësirën e golave të Levandovskit, por nuk po arrin as kriteret e një sulmuesi të thjeshtë. Janë plot 270 minuta që Sadio nuk është i përfshirë në situatë goli, jo vetëm në mënyrë të drejtpërdrejtë, por as në asistime ndaj shokëve të skuadrës.

Sfida e fundit i përket datës 31 gusht, aty ku Bajerni u takua në raundin e parë të Kupës së Gjermanisë në fitoren me 5 yje ndaj modestëve të Viktoria Këlnit. Pas atij takimi, duket se gjithçka ka ndaluar, edhe pse janë zhvilluar disa ndeshje dhe janë shënuar 5 gola nga ekipi i tij.

Advertisements

Ndeshja ndaj Barcelonës u mendua si prova e vërtetë për t’u mbyllur gojën kritikëve pas disa takimeve të qeta. Por edhe kësaj radhe vazhdoi e njëjta melodi, aq sa në minutën e 70-të, Julianit iu sos durimi, duke e zëvendësuar me gjermanin Serxh Gnabrinë. Performanca ndaj katalanasve nuk mund të shënojë asgjë pozitive, përveç minutës së 58-të, ku tentativa e tij u bllokua shumë lehtë dhe gjithçka përfundoi qetësisht.

Pa harruar rastin episodik ku i bllokoi trajektoren e manovrës goditëse kolegut Myler. Nëse përmendim statistika, po flasim për fakte të padiskutueshme, ashtu siç pohon edhe shifra 18 e pasimeve mbi 2/3 e lojës, për të mos folur më pas mbi goditjet në kuadrat dhe pasimet decizive nga ana e Sadiosë.

Pas takimit, e gjithë vëmendja e opinionit sportdashës, sidomos kritikëve, ishte te komentet e sulmuesit 30-vjeçar.

Nga krahu tjetër, Mane nuk e pati të vështirë të jepte një shpjegim pas fitores ndaj “blaugranave”, pa anashkaluar paraqitjen dhe gjendjen në ndeshjet e fundit: “Fitorja ndaj Barçës është tregues se klubi po ecën në rrugën e duhur. Jam shumë i lumtur me lojën e zhvilluar, por nuk jam i kënaqur me rendimentin tim gjatë ndeshjes, mund të kisha bërë shumë më mirë. Duhet të tregohem më i kujdesshëm në momentet finale para porte, pasi aty vendoset i gjithë fati i ndeshjeve”, theksoni ish-lojtari i Liverpulit.

Nota 5.5, një tjetër tregues i qartë se senegalezi nuk ndodhet në ditët më të mira në aspektin profesional, por tekniku bavarez është shfaqur në pozitën e një mburoje ndaj lojtarit të tij: “Sadio zhvilloi ndeshje pozitive, edhe pse jo në rolin natyral, kjo është shenjë pozitive se ai mund të sakrifikohet në shërbim të ekipit. Pastaj nuk mund të harrojmë se sapo është bashkuar me Bajernin dhe faza e përshtatjes kërkon kohën e vet. Ndaj Barçës pashë atë çka duhet të shikoja nga senegalezi, ju premtoj se do të shijoni potencialin e vërtetë në një kohë të shkurtër”, përfundoi strategu i rekordmenëve gjermanë.