Zejnulla VESELI
Shkup, 20 mars – Qeveria i ka të siguruar 100 milionë euro për pagesë të subvencioneve për vitin e kaluar të paraparë më buxhetin e vitit 2016 dhe nuk është aspak pengesë mos formimi i Qeverisë së re, që të mos vazhdohet me pagesën e subvencioneve. Kështu thotë Lupço Nikolovski, ish zëvendësministër plotësues i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomizim me Ujërat (MBPEU). ”Pse subvencionet e bujqve nuk janë paguar për gjatë vitit 2016, siç parashihet me ligj. Bëhet fjalë për 100 milionë euro subvencioni të papaguara për vitin e kaluar. Këto subvencione duhej të ishin të paguara dhe të fillohej me pagesën e subvencioneve për vitin 2017. Në e kuptojmë revoltën e bujqve dhe ata kanë plotësisht të drejtë t’i kërkojnë parat e tyre që u takojnë me ligj”, thotë Lupço Nikolovski.
Ndërkohë nga MBPEU informojnë se nga dita e hënë do të fillohet me pagesat e subvencioneve dhe do të vazhdojë ditëve në vijim, pasi që drejtori i sapoemëruar i Agjencisë pagesore, Igor Zllatkov, edhe zyrtarisht do të deponojë nënshkrimin e tij në Regjistrin qendror. Nga MBPEU-ja njëherit informojnë se Komisioni për antikorrupsion tash më ka dhënë mendim pozitiv për realizimin e mbështetjes financiare dhe mjetet financiare për pagesë të subvencioneve për vitin 2016 janë të siguruara.
“Pas përfundimit të procedurave për dhënien e nënshkrimit të drejtorit të ri të Agjencisë pagesore në regjistrin qendror, presim që këto ditë të fillojë pagesa e subvencioneve”, informojnë nga MBPEU. Pagesa e subvencioneve u ndërpre pas zgjedhjeve të fundit parlamentare, për shkak të interpretimit të ndryshëm të Kodit zgjedhor.
”Subvencionet për vitin 2016 duhet të paguhen më së voni deri më 30 qershor të këtij viti, ndërsa për mbështetje financiare të fermerëve në vitin 2017 janë siguruar 100 milionë euro”, thonë nga MBPEU. Se pagesa e subvencioneve do të realizohet gjatë ditëve të ardhshme, këtë e konfirmon edhe kryetari i fermerëve, Nikolla Stamenov, të cilit pas takimit ditën e premte, realizuar me ministrin e Bujqësisë, Mihailo Cvetkov, i njëjti i kishte premtuar se nga dita e hënë, 20 mars, do të fillohet me pagesën e subvencioneve.
“Të premten ministri Cvetkov na premtoi se të hënën duhet të jepet nënshkrimi i drejtori të ri të Agjencisë pagesore dhe kjo do të thotë se në ditët në vijim do të fillojë pagesa e subvencioneve”, thotë kryetari i Federatës së fermerëve, Nikolla Stamenov. Ndryshe nga Brukseli paralajmërojnë se do të realizojnë revizion në Agjencinë për menaxhim me parat e programit IPARD, gjegjësisht si është implementuar ky program. Nga Agjencia për pagesë konfirmojnë këtë informacion dhe thonë se deri të Komisioni Evropian i kanë dorëzuar të gjitha të dhënat, por vetëm për programin IPARD 1 për periudhën 2007 – 2013, sepse programi IPARD 2 për periudhën 2014-2020 ende nuk ka filluar të implementohet. Mirëpo, në anën tjetër, burime nga Brukseli informojnë se nga Agjencia për pagesë kanë kërkuar të dhëna për të gjitha pagesat e realizuara, emrat dhe adresat e shfrytëzuesve të parave nga programet IPARD përfundimisht me datë 31 dhjetor të vitit 2016 si dhe sa është lartësia e vlerës së deritanishme e paguar nga programet IPARD. “Agjencia i ka dorëzuar të gjitha të dhënat e kërkuara nga Koordinatori Nacional për autorizim pranë Ministrisë së Financave dhe të njëjtat janë dorëzuar deri të KE-ja. Kjo drejtori është e autorizuar për Programin IPARD 1, 2007-2013. Për programin IPARD 2 nuk kemi dorëzuar asnjë dokument, për arsye se ky program ende nuk ka filluar të zbatohet. Marrëveshja financiare disavjeçare akoma nuk është e nënshkruar dhe mjetet nga IPARD 2 ende nuk janë të disponueshme, nuk është paraqitur asnjë shpallje nga ky program, nuk është nënshkruar asnjë marrëveshje dhe nuk është paguar asnjë denarë nga ky program”, thonë nga Agjencia pagesore. Ky revizion i KE është paralajmëruar në muajin qershor të këtij viti dhe gjatë periudhës sa do të qëndrojnë ekipe të KE-së, nga Agjencia e për pagesa kanë kërkuar sigurim të transportit për ekipin e KE-së që të mund të shkojë në terren dhe të verifikojë çdo shfrytëzues të parave nga Programi IPARD.