Nga e hëna me performim të shfaqjes së parë “Vetëvrasësi” të autorit Nikollaj Erman, me regji të Sulejman Rushitit do të fillojë Festivali Ndërkombëtar i Teatrit “Otello” në Gostivar.
Në pesë netët e festivalit prej datës 5 deri më 9 nëntor në Qendrën e Kulturës të Gostivarit do të performojnë pesë shfaqje teatrale në gjuhën shqipe.
Shfaqja e parë “vetëvrasës” është bashkëproduksioni i teatrit “A. Zako Çajupi” nga Korça dhe Teatrit Kombëtar të Tiranës.
Natën e dytë më 6 nëntor do të shfaqet teatri “Ata që ikin”, me autor dhe regjisor Kushtrim Bekteshin nga teatri “Bekim Fehmiu” – Prizren.
Më 7 nëntor, është caktuar shfaqja “Oskari dhe teta Roza” e autorit Erik Shmit, me regji të Kiço Londo, në interpretim të Teatrit të Shkodrës.
Më 8 nëntor do të performojë shfaqja “Gratë” e Robert Tomas, me regji të Qëndrim Rijanit, në produksion të Teatrit Shqiptar të Shkupit.
Festivali do të përfundojë më 9 nëntor me shfaqjen “Holishti” me regji të Ilir Vokshit, që është përgatitur nga “AAB Faruk Begolli” – Prishtinë.
Të gjitha shfaqjet do të fillojnë në orën 19:00 në Qendrën e Kulturës -Gostivar.
Festivali do të ketë karakter konkurrues ndërsa juria profesionale do të ndajë çmime për aktorin më të mirë, aktoren më të mirë, regjisorin më të mirë dhe shfaqjen më të mirë.