Mario Mandzukic vendosi ndeshjen e së premtes mbrëma mes Juventusit dhe Interit. Kroati shënoi golin e vetëm duke konfirmuar momentin e mirë që po kalon në karrierë. Pas një botërori të lodhshëm duke qenë nënkampion i Botës, 32-vjeçari u rikthye te “Zonja e Vjetër” më i uritur se kurrë. Në ekip ka një makineri si Cristiano Ronaldo që e ka eklipsuar, por ai vazhdon me përformancat e mira duke vendosur veten në piedestal, padyshim një nga sulmuesit më të mirë dhe më të nënvlerësuar në botë.
I lindur më 21 maj të vitit 1986 në qytetin e Slavonski Brodit, Manduzkic u detyrua ta linte shpejt vendin e tij të lindjes. Lufta e Kroacisë bëri që djaloshi të emigronte drejt Gjermanisë, aty ku mori dhe mësimet e para në lidhje me futbollin me skuadrën e TSF Ditzingen. Një ekip fëmijësh që iu bashkua në vitin 1992 dhe qëndroi për 4 vite aty. Skuadra e tij ishte afër qytetit të Shtutgartit. Rregullat dhe disiplina gjermane ishin një pikënisje e mirë për të ndjekur ëndrrën “e frikshme” drejt futbollit të madh.
Pas fitimit të pavarësisë nga Kroacia, Mandzukic u kthye në vendlindje duke luajtur për NK Marsonia dhe më pas te NK Željezničar. Në sezonin 2004-05 me Marsonian, ai shënoi 14 gola në 23 ndeshje dhe kjo zgjoi interesin e NK Zagrebit që e afroi në skuadër. Viti i parë nuk ishte i duhuri, pasi luajti në 28 ndeshje dhe shënoi vetëm 3 gola. Ekipi luftoi për të qëndruar në elitën e futbollit kroat, pasi u detyrua të luante “play-out”-in, fatmirësisht ia dolën mbanë.
Sezoni pasardhës ishte i mirë për klubin ku aderonte kroati pasi u rendit në vendin e 3 në kampionat dhe fituan kupën Intertoto në 2007. Në 27 ndeshje të luajtura, Mandzukic shënoi 14 gola duke qenë një nga golashënuesit e kampionatit kroat, 11 gola në kampionat dhe 3 në kupë. Dy ndeshjet e fundit me fanellën e NK Zagrebit janë shumë interesante, pasi i ka luajtuar kundër Vllaznisë.
Shorti kishte vënë përballë kroatët me kuqeblutë e Shkodrës për turin e parë të UEFA Intertoto Cup. Mandzukic luaji titullar nga minuta e parë, por nuk ia doli të shënonte. Ndeshjen e parë skuadra kroate e fitoi me rezultatin 2-1. Takimi nisi mjaft mirë për djemtë e Vllaznisë që të drejtuar nga trajneri Ulrich Schulze gjetën golin e avantazhit me anë të Norës në minutën e 3′. Vendasit përmbysën gjithçka me Nadarevic dhe Labudovic. Rezultati ishte i favorshëm dhe ashtu doli, pasi kuqeblutë fituan në kthim me rezultatin 1-0 dhe kaluan më tej me golin e Norës në minutën e 26′. Mandzukic qëndroi për 180 minuta në fushë, por nuk dhuroi shumë në fushën e lojës. Vllaznia avancoi në turin e dytë të Intertotos ku u eliminua nga Trabzonspori, ndërsa sulmuesin e priste një tjetër fat.
Në verën e vitit 2007, Mandzukic bëri hapin e madh duke kaluar nga NK Zagrebi te Dinamo e Zagrebit. Aty sulmuesi shpërtheu me gola dhe tituj, pasi në 123 takime në të gjitha kompeticionet shënoi 63 gola duke siguruar kalimin te Wolfsburgu, e më pas te Bayern, Atletico dhe Juventus. Aty ku po luan një nga sezonet e tij më pozitiv dhe ka shumë impakt te “Zonja e Vjetër”, Allegri e tha pas ndeshjes se fituar ndaj Interit se është një futbollist i kalibrit europian. Sa i çuditshëm është futbolli, kur e mendon se e ka “nisur” nga stadiumi “Loro Boriçi”…