“Nga Bullgaria presim ndihmë, e jo pengesa”, deklarata e Karakaçanovit sërish nxit reagime në Maqedoni

26

Shkup, 24 shtator – Nga aleatët tanë, duke e përfshirë edhe Bullgarinë, presim të na ndihmojnë në rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian, e jo ta pengojnë atë. Këtë e deklaroi ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, pas deklaratës së homologut të saj bullgar, Krasimir Karakaçanov, i cili tha se Bullgaria do të tregojë se tani nuk është koha e duhur që të mbahet Konferenca ndërqeveritare, duke theksuar se flet në emër të Qeverisë.

“Deklaratat e tilla nuk janë në frymë të Marrëveshjes për Fqinjësi të Mirë, fare nuk ndihmojnë. Nëse kemi mësuar diçka gjatë këtyre 30 vjetëve turbulente ballkanike, është se emocionet nuk janë aleatë të mirë në zgjidhjen e çështjeve bilaterale. Ne treguam se me të gjithë fqinjët tanë mund të jemi miq. Tani është momenti kur shihet dhe vlerësohet sa me të vërtetë duam të ndërtojmë marrëdhënie të mira ndërfqinjësore. Ne e kaluam testin tonë”, deklaroi Radmilla Shekerinska – Ministre e Mbrojtjes.

Nga ana tjetër, ministri bullgar i Mbrojtjes Karakaçanov, në një intervistë për “TV Evropa” deklaroi se ka kushte të qarta të vendosura nga BE-ja – para se t’i nisë negociatat aderuese, çdo vend-kandidat së pari duhet t’i zgjidhë problemet me fqinjët e tij.

“Në tetor të vitit të kaluar thamë shumë qartë se nëse nuk respektohet Marrëveshja për Miqësi mes Republikës së Bullgarisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut nga 2 gushti i vitit 2017, do ta kundërshtojmë caktimin e Konferencës së parë ndërqeveritare. Kishin tre vite që të mendojnë. Bullgaria nuk do të kundërshtojë, por do të tregojë se nuk është koha që të caktohet datë për mbajtjen e Konferencës së parë ndërqeveritare”, tha Krasimir Karakaçanov – Ministër i Mbrojtjes i Bullgarisë.

Javën e kaluar, ambasadorja gjermane Anke Holshtajn, duke folur për memorandumin e dërguar deri te Bashkimi Evropian, tha se edhe Gjermania, edhe vendet-anëtare mendojnë se problemet bilaterale nuk duhet të jenë pjesë e kornizës negociuese dhe se mosmarrëveshjet duhet t’i zgjidhin vendet mes vete. Konferenca ndërqeveritare duhet të mbahet në dhjetor, kurse dje, kryeministri Zoran Zaev, paralajmëroi se do të udhëtojë në Sofje për ta takuar homologun e tij, Bojko Borisov.

Comments are closed.