Reali i Madridit duket se më në fund ka gjetur një blerës për të padëshiruarin Garet Bejl. Uellsianit i është treguar dera prej kohësh, por duket paga e lartë e bën të hezitojë të largohet. I vetmi klub, që e ka bindur atë, duket se është Totenhemi. Anglezët janë vendi, ku Bejl arriti të hyjë në arenën e më të mëdhenjve të Europës.
Mediet angleze raportojnë se Totenhemi është gati të japë 30 milionë paund për blerjen e sulmuesit, me Reain që duket se është bindur të ulë pretendimet për blerjen më të shtrenjtë në historinë e klubit. I vetmi ngërç në këtë transferim është paga prej 650 mijë paundësh në javë e Bejl te madrilenët.
Nëse dëshiron të shkojë në një vend, ku e duan dhe e respektojnë si një legjendë, atëherë 30-vjeçari duhet të pranojë një ulje të ndjeshme të pagës. Uellsiani erdhi në vitin 2013 te Reali i Madridit me idenë se do të ishte një lojtar, që do ishte në gjendje të bëhej më i miri. Bejl kurrë nuk u bë i tillë, por mbajti një nivel konstant, me dëmtimet që e ndoqën çdo vit, për t’i dhuruar pak hapësirë, në mënyrë që të ushtronte pasionin e tij, golfin.