Shkup, 9 tetor – Arsyeja pse në fabrikën për prodhimin e ujit “Pelisterka” në fshatin Mexhitli nuk ka shumë të punësuar punonjës shqiptarë është se, interesimi i vogël dhe se njëkohësisht, nuk ka persona të kualifikuar për punë në fabrikën që gjendet në fshatin e banuar me shqiptarë. Kështu është arsyetuar Tanja Pandeleska, drejtore e marketingut në kompaninë “Pelisterka”, ndërsa pranon se nga 90 të punësuar në këtë fabrikë, vetëm katër janë shqiptarë, ndërsa pjesa tjetër maqedonas dhe pak nga etnitetet tjera, shkruan gazeta KOHA. “Kompania jonë nuk punëson në bazë të etnitetit, por në bazë të kualifikimeve, shkollimin e mbaruar dhe dëshirën për punë. Numri më i madh i banorëve të fshatit Mexhitli, kanë pasur mundësi të punojnë. Ata, të cilët kanë pasur kualifikim adekuat, këtë mundësin e kanë shfrytëzuar. Për të tjerët, fabrika gjithmonë ka siguruar punë sezonale, ndërsa të njëjtit kanë marrë honorare të caktuara”, thotë Pandeleska, sipas të cilës, midis bashkëpunëtorëve sezonal të fabrikës, ka edhe shqiptarë nga rajone tjera të Maqedonisë dhe jo vetëm nga fshati Mexhitli, aty ku gjendet fabrika “Pelisterka”. “Në 64 vitet e ekzistimit të kompanisë sonë, ekipi i punonjësve janë nga të gjitha nacionalitetet. Sidomos në fshatin Mexhitli. Aktualisht, në fabrikën me 90 punonjës, janë të punësuar katër shqiptarë, të cilët punojnë për më shumë se 40 vite, siç është rasti me Usein Banushevskin, i cili në këtë fabrikë punon për 43 vjet me radhë”, arsyetohet Pendelevska. Si dëshmi se “Pelisterka” nuk bën diskriminim në punësimin e shqiptarëve, Pandeleska përmend një fakt interesant, të cilin ajo e konsideron si “përfaqësim” tamam edhe i shqiptarëve. “Dëshmi se kompania ‘Pelisterka’ njëjtë i vlerëson edhe maqedonasit edhe shqiptarët, por edhe të gjithë konsumatorët tjerë të ujit tonë, janë edhe aktivitetet tona të marketingut. Të gjitha reklamat tona, si panotë apo edhe video-materialet, flaerat… publikohen edhe në gjuhën shqipe. Në kalendarin tonë tradicional, i cili shërben si material promovues, njëra nga yjet ishte edhe këngëtarja shqiptare, Adelina Tahiri. Ndërsa në periudhën që vijon, do të kemi bashkëpunim promovues edhe me sportistë dhe aktorë shqiptarë”, thotë Pandeleska. Ndryshe, ditë më parë, banorë të fshati shqiptar Mexhitli për gazetër gazetën KOHA u ankuan se, që nga themelimi i kësaj fabrike, numri i shqiptarëve që punojnë aty është tejet i vogël, për të mos thënë asnjë. (koha.mk)