Laura PAPRANIKU
Shkup, 6 janar – Ndryshimi i paralajmëruar i programeve mësimore, respektivisht teksteve shkollore veçmë ka filluar. Nga Shërbimi Pedagogjik i Ministrisë të Arsimit dhe Shkencës (MASH) njoftohen të gjithë botuesit se ka përfunduar hartimin i programeve të reja mësimore nga lëndët e gjuhëve të huaja për vitet e katërta të arsimit të mesëm, shkruan gazeta KOHA. Pra, botuesit nga vendi dhe të huaj, mund të konkurrojnë për botimin e librave a atyre librave, që sipas të gjitha gjasave, do të jenë gati për vitin e ardhshëm shkollor 2018/2019, pasi Programet mbi bazën e të cilave duhet të punohen librat përkatës – veçmë janë miratuar nga MASH-i. Bëhet fjalë për libra të shkollave të mesme, të cilat përdoren në drejtimin gjimnaz apo drejtimet të mesme profesionale katërvjeçare.
Ajo që bie në sy, në fondin e teksteve shkollore në Maqedoni veçanërisht gjatë dekadës së fundit është mungesa e autorëve shqiptarë. Pjesëmarrja e tyre është thuajse simbolike dhe e limituar vetëm në tekstet e lëndës së gjuhës dhe letërsisë shqipe. Për shembull, nga 49 tekste shkollore që aktualisht janë në përdorim nga nxënësit e viteve të katërta, vetëm katër libra kanë autorë shqiptarë edhe atë tre tekste të gjuhës dhe letërsinë shqipe dhe njëri nga dy librat e filozofisë. Të gjitha librat tjerë janë nga autorë maqedonas, duke përjashtuar këtu librat e gjuhëve të huaja. Nuk është aspak më e mirë situata me librat e viteve të treta, të dyta dhe të para të arsimit katërvjeçar. Për 52 testet në përdorim, në vitet e treta vetëm pesë janë nga autorë shqiptarë, ashtu sikurse për 42 tekste shkollore të viteve të dyta vetëm dy janë nga autorë shqiptarë apo si në rastin e 36 librave të viteve të para vetëm tri prej tyre janë nga autorë shqiptarë. Konkretisht, nga 179 libra të arsimit të mesëm të përgjithshëm nga autorë shqiptarë, janë vetëm 14 libra. Në arsimin e mesëm profesional, mungesa e librave nga autorë shqiptarë është ende më skandaloze. Nga 346 libra, të cilat përdoren në arsimin e mesëm profesional, të gjitha të drejtimeve firmën e autorëve shqiptarë e mbajnë vetëm dy libra, edhe atë nga një libër në vitin e parë dhe të dytë, ku janë në shfrytëzim 51, respektivisht 106 libra. Ndërsa, për lëndët profesionale të viteve të treta dhe të katërta ku janë në përdorim 108, respektivisht 81 libra, nuk ka as edhe një autorë shqiptarë, raporton KOHA. Arsyet e kësaj situate janë të njohura. Për të konkurruar me një dorëshkrim, ai duhet të jetë i shkruar patjetër në gjuhën maqedonase. Për pasojë, gjendja me pjesëmarrjen e autorëve shqiptarë në përpilimin e testeve shkollore është jashtë çdo normaleje. Marrë në përgjithësi në arsimin e mesëm profesional, për lëndët e përgjithshme dhe profesionale, nëse në total janë në përdorim 525 libra, vetëm 16 prej tyre janë nga autorë shqiptarë.
Bazuar në programet e reja mësimore, nga viti tjetër shkollor do të ketë libra të rinj për katër lëndë edhe atë për gjuhën angleze si lëndë e parë e huaj, gjuhën gjermane, frënge dhe ruse si gjuhë të dyta të huaja në shkollat e mesme. Programet mësimore të këtyre lëndëve mund të gjenden në vebfaqet zyrtare të MASH-it, respektivisht Shërbimit Pedagogjik dhe Byrosë për Zhvillimin e Arsimit, që është organi kompetent profesional i MASH-it për çështjen e hartimit të programeve mësimore. Për momentin, librat e të gjitha lëndëve të gjuhëve të huaja në arsimin e mesëm janë të autorëve të huaj. Konkretisht, bëhet fjalë për tekste shkollore që zakonisht botohen në vendin e origjinës për fëmijë që nuk e kanë atë gjuhë si mjet të parë komunikimi dhe që përmes marrëveshjeve të bashkëpunimit, pasi u blihet e drejta autoriale nga MASH-i, sillen në Maqedoni për tu shfrytëzuar si tekste shkollore. Tani që programet mësimore të anglishtes, gjermanishtes, frëngjishtes dhe rusishtes kanë ndryshuar – u hapet mundësia edhe autorëve dhe botuesve vendas të përpilojë librat e atyre lëndëve. Këtë mund ta bëjnë edhe shtëpitë botuese të shteteve të huaja, por me kusht që të jenë të regjistruara në vendet amë dhe të ushtrojë veprimtari të paraparë sipas ligjeve të shteteve amë. (koha.mk)