Nga 49 shkolla, vetëm 3 shqipe përfitojnë buxhet për rikonstruim

151

Nga 36 shkolla fillore, vetëm dy shkolla me mësim në gjuhën shqipe do të përfitojnë rikonstruim me buxhetin e MASH-it. Shkolla fillore “Ismail Qemali në Gostivar dhe “Faik Konica” në Radushë janë dy shkollat e vetme, kërkesat e të cilëve janë pranuar nga MASH-i për të përmirësuar kushtet e mësimit. Në ndërkohë, nga 13 shkolla të mesme, që do të rikonstruohen me buxhet të MASH-it, vetëm një shkollë e mesme më mësim në gjuhën shqipe – në Gostivar, i është pranuar kërkesa për ndihmë

Zenel MIFTARI

Shkup, 27 korrik – Tridhjetë e gjashtë shkollave fillore dhe 13 të mesme nën juridiksionin e komunave dhe Qytetit të Shkupit u janë aprovuar kërkesat për thirrjen publike për financimin e projekteve për rinovimin e objekteve shkollore nga Buxheti i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, e cila në ueb faqen e saj e publikoi rang-listën e projekteve nga aplikacionet e pranuara të paraqitura deri më 15 prill të vitit 2021. Në renditjen e shkollave fillore komunale, me më shumë pikë u pranua aplikimi për rindërtimin e shkollës fillore rajonale në fshatin Radibush në Komunën e Rankovcës, ndërsa në mesin e 13 shkollave të mesme, me më shumë pikë u pranua kërkesa për rindërtimin dhe përshtatjen e objektit të SHMK “Riste Ristevski-Riçko”, në Prilep. Nga 36 shkolla fillore, vetëm dy shkolla me mësim në gjuhën shqipe do të përfitojnë rikonstruim me buxhetin e MASH-it. Shkolla fillore “Ismail Qemali në Gostivar dhe “Faik Konica” në Radushë janë dy shkollat e vetme, kërkesat e të cilëve janë pranuar nga MASH-i për të përmirësuar kushtet e mësimit.

Në ndërkohë, nga 13 shkolla të mesme, që do të rikonstruohen me buxhet të MASH-it, vetëm një shkollë e mesme më mësim në gjuhën shqipe – në Gostivar, i është pranuar kërkesa për ndihmë. Në njoftimin e MASH-it thuhet se paratë nga Ministria do të përdoren për të financuar aktivitete të ndryshme rindërtuese në shkollat në vendbanimet që u përkasin komunave: Krushevë, Kumanovë, Novac, Vallandovë, Shën Nikollë, Mavrovë dhe Rostushë, Kavadar, Saraj, Berovë, Radovish, Gjevgjeli, në shkollat fillore në Resnjë, Kavadar, Manastir, Makedonska Kamenicë, Ilinden, Koçan, Dellçevë, Prilep, Kumanovë, Gostivar dhe në Komunat e Shkupit – Kisella Vodë, Gjorqe Petrov, Butel dhe Aerodrom. Janë miratuar edhe kërkesat për rindërtimin e shkollave të mesme në Kavadar, Gostivar, Kumanovë, Shën Nikollë, Kërçovë, Dellçevë dhe Shkup (gjimnazi “Orce Nikollov”).

“Thirrja publike është shpallur me qëllim të përmirësimit të kushteve dhe cilësisë së arsimit, ndërsa fondet për këtë qëllim do të sigurohen nga buxheti i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës përmes një procedure të furnizimit publik të zbatuar nga Ministria. Thirrja publike nuk i referohet financimit të projekteve në rast nevoje për rehabilitimin e objekteve shkollore të shkaktuara nga forca madhore (zjarri, përmbytja, tërmeti…), i cili kërkon rehabilitim të menjëhershëm dhe të paanulueshëm. Gjithashtu, të drejtë aplikimi nuk kanë objektet shkollore të ndërtuara në dhjetë vitet e fundit”, thuhet në njoftimin e MASH-it. Thirrja publike është e hapur, vijon më tej njoftimi, pa afat për dorëzimin e aplikacioneve (kërkesave) dhe është i publikuar në uebfaqen e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, ndërsa vlerësimi dhe renditja e aplikacioneve të pranuara, sipas Thirrjes, do të kryhet disa herë në vit. (koha.mk)