Nga data 15 deri më 17 shtator 2018, në Rahovec mbahet edicioni i katërt i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë, organizuar nga Fondi për Edukim Kulturor dhe Trashëgimi të kësaj komune.
Edhe në këtë edicion do të sillen emrat e shquar të letërsisë botërore, nga Japonia e deri në SHBA, nga Evropa në Azi.
Sipas Drejtorit të Festivalit, poetit tone të njohur Fahredin Shehu, do të ketë lexime të poezive nga poetë, performancë poetike nga poetesha japoneze Yuki Nagae, promovimi i Antologjisë Ballkanike, të edituar nga Shehu dhe botuar nga Inner Child Press LTD. International, në SHBA, si dhe promovimi i opusit letrar të poetit nga Shqipëria, Xhevahir Spahiu.
Nga Shehu zbuluam se poeti amerikan Andrew Singer, bartës i projektit Traffika Europa, me seli në Paris, do ta bëjë dokumentimin e Festivalit, prej nga u mor vesh se Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë në Rahovec e fut në rrjetin e festivaleve dhe ngjarjeve kulturore të Evropës.
Aktivitetet e Festivalit do të transmetohen drejtpërdrejt në Traffika Europa Radio si dhe në Radio Aktiv, në Rahovec.
Festivali po përkrahet nga Ministria e Kulturës, Ministria e Punëve të Jashtme dhe donatorëve zemërgjerë nga Rahoveci, të cilët e kuptojnë rëndësinë e festivalit dhe diplomacisë publike në interes të ngritjes së imazhit të Kosovës në botë.