Shkriniar është rikthy er dhe më në fund po shprehet në nivele të larta. Edhe Bastoni ka shpërthyer, por soliditetin në prapavijë e mban gjithmonë Stefan de Vraj. Ai mban gjithmonë një linjë konstante, kolona rreth të cilit Konte ka ndërtuar mbrojtjen e tij të hekurt. Holandezi është prototipi i liderit të heshtur dhe i lojtarit karizmatik që di të kontrollojë ndeshjet pa pasur nevojën e projektorëve mbi të. Shpesh paraqitjet e tij nuk janë për kopertinë, por prania e tij është një pikë kyçe e Interit që ka si ambicie rikthimin më maja.
BAST I FITUAR – Nga pikëpamja teknike, De Vraj ka hedhur hapa gjigantë në këto dy sezone e gjysmë me fanellën e Interit. Fillimisht me Spaletin, në dyshe me Shkriniarin në mbrojtjen me katër, e në pas në qendër të asaj me tre të Kontes. Rritje e vazhdueshme, e qartë dhe e dukshme, për një lojtar të transferuar nga Lacio në vitin 2014 pasi ishte rritur te të rinjtë e Fejnordit, skuadër së cilës iu bashkua kur ishte dhjetë vjeç. Te Lacio, De Vraj u mësua me futbollin italian shumë shpejt, tek Interi u shndërrua mes më të mirëve në Serinë A dhe gjithë Europën. Thelbësor për Konten, një pasuri për t’u ruajtur për klubin zikaltër, që tregoi zotësi duke shfrytëzuar rastin për ta marrë me kosto zero nga bardhekaltrit pavarësisht konkurrencës së Barcelonës. Sot vlen 45-50 milionë, për Konten me shumë mundësi nuk ka çmim.
NË NDËRTIMIN E LOJËS — Mbrojtja me tre duket se i shkon vërtet për shtat De Vrajit, holandezi është interpretuesi i duhur për ta ekzaltuar atë që i qëndron në krah. Dhe i shumëpërfoluri ndërtim i lojës nga prapavija, përmes të cilit Interi kërkon të hapë hapësirat prapa mesfushës kundërshtare si në derbi, kalon shumë nga këmbët e tij. Tani Konte po përdor edhe dy “regjisorë”, por shumë shpesh De Vraj ka qenë një vlerë e shtuar edhe në ndërtimin e lojës, duke ndihmuar vazhdimisht Brozoviçin edhe në gjysmëfushën rivale. Një gol emblematik nga kjo pikëpamje është ai i Lautaros kundër Borusias së Dortmundit vitin e kaluar në “San Siro”: ish-lojtari i Lacios, i avancuar, shërbeu topin në thellësi me xhirot e duhura për argjentinasin.
MBROJTJE DHE POZICION — Për sa i përket fazës mbrojtëse, De Vraj është më shumë një administrues sesa një lojtar për duelet një kundër një. Për t’u kuptuar: në statistikën e numrit të dyluftimeve për ndeshje, shifrat janë të ulëta. Gjatë 83 ndeshjeve të luajtura në Serinë A me fanellën e Interit, mesatarja është prej 0,9 dyluftimesh në çdo ndeshje të vetme. Gjatë këtij sezoni përpara tij ndodhen Shkriniar dhe Bastoni, por edhe Hakimi dhe mesfushorët titullarë. Numri i dyluftimeve shtohet në Ligën e Kampioneve (1,4 për ndeshje), kompeticion ku ritmi është më i lartë dhe jepet maksimumi në çdo top të diskutueshëm. Ndryshe diskutimi te pasimet e bllokuara, si provë që De Vraj ka më shumë detyra pozicionimi sesa të sulmojë kundërshtarin. E nuk mund të jetë ndryshe, duke konsideruar pozicionin që zotëron në fushë. Me fanellën e Interit, mesatarja është prej 1,3 për ndeshje në Serinë A dhe 2,3 në Ligën e Kampioneve. Mes mbrojtësve zikaltër, gjatë këtij sezoni ish-lojtari i Fejnordit është mes më të mirëve në këtë statistikë.
PJEKURI — Konte nuk heq praktikisht asnjëherë dorë nga holandezi. Këtë vit ka qenë gjithmonë në fushë në Ligën e Kampioneve, në kampionat mungoi në debutimin kundër Fiorentinës për shkak skualifikimi dhe ndaj Xhenoas, hyri në fund ndaj Torinos dhe Beneventos dhe në Kupën e Italisë ka luajtur gjithmonë, me aktivizimin ndaj violëve në pjesën e dytë dhe si titullar kundër Milanit e Juventusit. Në sezonin e tij është regjistruar edhe një gol, por i pavlerë, në humbjen e zikaltërve kundër Sampdorias në Gjenovë. Gjatë vitit të parë tek Interi golat ishin dy, në edicionin 2019-’20 katër. Në moshën 29 vjeç dhe me në duar mbrojtjen e Kontes, ka arritur një pjekuri të paparë asnjëherë gjatë karrierës. 113 ndeshjet si zikaltër dëshmojnë faktin sa holandezi mbetet thelbësor për këtë skuadrën. Statistikat janë të rëndësishme, tani priten trofetë dhe De Vraj mbetet mes protagonistëve kryesorë për ëndrrën e titullit.