Neymar junior humb durimin me mediat, që edhe tani që është dëmtuar dhe do të mungojë në dy përballjet e Championsit të PSG-së me Manchester United vazhdojnë ta ngacmojnë për një rikthim të mundshëm te Barcelona.
Neymar, teksa po ecte me patericë (sapo zbriti nga makina) u përball me të njëjtën pyetje të gazetarëve: a do të kthehesh te Barcelona? Ai shpërtheu me një përgjigje aspak etike: “Mos më çani trapin!”
Një reagim deri diku u kuptueshëm, pas shqetësimi madhor është dëmtimi, që thuhet se është i njëjti me atë të një viti më parë, kur iu desh të operohej e të qëndronte tre muaj pushim absolut.
Ta ngacmosh “yllin” brazilian në këtë moment, nëse do ta lërë PSG-në, kur ka dyshime për vazhdimësinë e karrierës, për shkak të lëndimeve të shpeshta, është si të “përmendësh litarin në shtëpinë e të varurit”. Po përsëritet pak e shumë situate e një viti më parë, kur Neymar qëndroi për disa muaj jashtë, duke mos qenë në formë optimale as për “Seleçaon”, që këtë verë organizon Kupën e Amerikës.