E ardhmja e Neymar Junior lidhet gjithnjë e më larg Paris Saint-Germain, për këtë shumë dilema se cila do jetë skuadra e ardhshme e tij janë ngritur. Deri pak ditë më parë destinacioni më i mundshëm ishte Real Madridi, por afrimi i Hazard zbeh këtë lëvizje. Opsioni i dytë mbetet Barcelona, por edhe katalanasit me afrimin e Grizmann plotësojnë grupin.
Të dy klubet e duan brazilianin, shpenzimet për të janë të larta. Por, nga Spanja bëjnë me dije si “AS” edhe “Marca” se po fillon të “ziejë” diçka për sulmuesin e PSG-së.
Në një intervistë për “France Football”, presidenti i klubit francez, Nasser Al-Khelaifi deklaroi se me 200% Kylian Mbappe do të qëndrojë, por për Neymar nuk dha siguri, madje ngriti dyshime rreth të ardhmes së tij.
“Dua që lojtarët të japin gjithçka për të mbrojtur nderin e fanellës dhe të bashkohen me projektin e klubit. Ata që nuk duan, ose nuk kuptojnë, ne thjesht flasim dhe zgjidhim gjithçka. Gjithashtu ka kontrata që duhet të respektohen, por prioritet mbetet projekti ynë. Askush nuk e detyroi Neymarin të nënshkruajë me ne. Askush nuk e shtyu atë. Ai erdhi me vetëdije, për t’u bashkuar me projektin tonë”, deklaroi sheiku nga Katari, për brazilianin.
Kujtojmë që Neymar ka kontratë deri në vitin 2020 me kampionët e Francës dhe nëse një klub ofron 220 milionë euro, PSG do e lërë të lirë të largohet.