Neymar “provokim të hidhur” PSG-së, divorci tani është më pranë

Verën e 2017-ës u bë futbollisti më i shtrenjtë në botë, duke u larguar nga Barcelona drejt Paris Saint Germain, për shifrën stratosferike të 222 milionë eurove, por duket se “feeling”-u me kryeqytetin francez ka zgjatur vetëm dy sezone.

Në dy vite PSG-ja ia ka dalë të triumfojë në Francë, por nuk ka lënë gjurmë në Ligën e Kampionëve, ndërsa Neymar ka mbetur gjithmonë larg në renditjen e pretendentëve për të fituar Topin e Artë.

Këtë verë braziliani e ka bërë të qartë që dëshiron të largohet nga Parisi, ndërsa prioritet do të jetë rikthimi te Barcelona, ndonëse nuk përjashtohet as mundësia t’i bashkohet Realit të Madridit.

Sulmuesi refuzoi t’i bashkohet PSG-së në grumbullimin parasezonal, duke u gjobitur, ndërsa dje në një intervistë u dha një tjetër goditje francezëve, gjë që konfirmoi thyerjen totale të raportit mes palëve.

“Kujtimi im më i bukur në karrierë, është fitorja 6-1 me Barcelonën, përballë PSG-së, ku përmbysëm humbjen 4-0 në ndeshjen e parë. Kur shënuam golin e parë, dolëm të gjithë jashtë kontrollit, pasi kishim bërë diçka të pabesueshme. Nuk e harroj kurrë atë moment”, tha braziliani.

Natyrisht që ai moment ishte një ngjarje jo vetëm për Neymar, por edhe për futbollin botëror, veçse kjo deklaratë e brazilianit, e bërë në këto momente, “minon” raportet e tij me francezët dhe e çon një hap më pranë Barcelonës.