Vetëm disa orë pasi u dëmtua në miqësoren ndaj Katarit dhe mori lajmin se do të mungojë në Kupën e Amerikës, Neymar u rikthye te çështja e ditës për të, akuzat për përdhunim nga ana e modeles 26-vjeçare, Najila Trinidade Mendes.
Ylli brazilian u paraqit në një rajon policie në Rio De Zhaneiro, ku dha dëshminë e tij mbiu çështjen dhe sqaroi para hetuesve të gjitha detajet e raportit të tij me 26-vjeçaren, që tashmë e akuzon për përdhunim.
Neymar u pyet edhe në lidhje me videon që po qarkullon në internet, ku shfaqet ylli brazilian, së bashku me modelen, në një dhomë hoteli, teksa në një moment mes të dyve shpërthen një grindje.
Në dalje nga rajoni, Neymar falënderoi të gjithë për mbështetjen, duke mos dhënë detaje nga procesi, ndërsa avokatët e tij thanë se janë vënë në dispozicion të drejtësisë dhe po ndihmojnë në sqarimin e plotë të ngjarjes.
Vetëm 24 orë më parë, Najila Trinidade Mendes ishte e ftuar në një program televiziv brazilian, ku tregoi se pasi kishte komunikuar me Neymar, me mesazhe, ky i fundit i kishte paguar biletën e avionit për në Paris dhe hotelin.
Pikërisht atje, 26-vjeçarja pretendon se u përdhunua nga sulmuesi brazilian i Paris Saint Germain, i cili nga ana e tij zbuloi edhe disa mesazhe mes palëve, duke treguar se gjithçka kishte ndodhur, ishte bërë me miratimin e të dyve.