Largimi i Neymar nga Brazili për shkak dëmtimi, duket se nuk i ka larguar telashet për skuadrën e Tite-s. Ndërsa ylli i PSG-së është bllokuar nga dëmtimi në kavilje të pësuar në miqësoren e luajtur të mërkurën kundër Katarit, shokët e tij të kombëtares kanë shijuar një ditë pushim para fillimit të Kupës së Amerikës.
Gjithsesi, disa prej tyre kanë përfunduar në qendër të vëmendjes për arsyet e gabuara, duke parë se policia ka qenë e detyruar të ndërhyjë për të prishur festën e organizuar nga ata në shtëpinë e biznesmenit Eduardo Bastos.
Sipas shtypit brazilian, lojtarët që kanë qenë të pranishëm në festë, kanë kërkuar të fshehin identitetin e tyre, duke mbuluar fytyrat në momentin kur po largoheshin nga festa. Gjithsesi, shtypi vendas ka arritur të identifikojë katër prej tyre: Gabriel Jesus, Firmino, Felipe Anderson dhe Miranda.
Një nga fqinjët ka zbuluar për “Metropoles” se: “Muzika ishte shumë e lartë dhe zgjoi të gjithë fqinjët nga gjumi. Një taksi sillte prostituta çdo pesë minuta. Falë Zotit ka ardhur policia. Ata janë heronjtë tanë”.
Organizatori i festës, Bastos, i cili u ka dhënë nga një arkë me verë fqinjëve për t’u kërkuar falje, ka mohuar që vajzat e pranishme në festë të ishin prostituta.
“Ishin shoqe dhe të dashura të të ftuarve. Ishte një gabim dhe do të kalojë shumë kohë para se t ë organizoj një festë tjetër si kjo”, ka thënë Bastos, menaxher shumë i njohur këngëtarësh.
Ndërkohë, Federata Braziliane e Futbollit ka dashur të distancohet nga incidenti, duke deklaruar se lojtarët kanë qenë në festë gjatë kohës së tyre të lirë.
“Lojtarët kishin një ditë pushim, që ishte programuar. Ajo që ata bëjnë në kohën tyre të lirë është një çështje private”, ka bërë të ditur federata braziliane në një deklaratë për shtyp.
Gjithsesi, duke parë akuzat për përdhunim të ngritura ndaj Neymar, nuk ka dyshim që federata do të kishte preferuar të shmangte një tjetër skandal në prag të Kupës së Amerikës, që do të fillojë në Brazil më 15 qershor.