Pavarësisht se ishin vetëm disa minuta larg nga eliminimi i tyre nga Atalanta në Ligën e Kampionëve, Neymar pohon se kurrë nuk mendoi për këtë. Atalanta ishte në epërsi 1-0 deri me një gol të Mario Pasalic deri në minutën e 90-të, por Marquinhos dhe Eric Maxim Choupo-Moting shënuan dy herë në minutat shtesë për të siguruar fitoren 2-1 të PSG-së. Me këtë fitore, klubi francez ka arritur në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, ndërsa ylli i skuadrës Neymar ka pohuar se kurrë nuk e ka menduar eliminimin. “Asnjëherë nuk kam menduar për eliminimin”, ka thënë fillimisht Neymar për RMC Sport. “Asgjë nuk do të më ndalojë të mendoj se do të arrijmë në final. “Ishte e vështirë, por ne jemi një ekip i shkëlqyeshëm dhe një familje e vërtetë. Ishte e pamundur të mendosh që mund të eliminoheshim”, përfundoi braziliani.
I dhuron Choupo-Motingut çmimin ‘lojtari i ndeshjes’
Ndryshe, ylli brazilian i Paris Saint-Germain, Neymar ka bërë një gjest të madhe pas kualifikimit të klubit të tij në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Golat për PSG-në u shënuan nga Marquinhos (90’) dhe Maxim Chuopo-Moting (90+), por asnjëri nga ta nuk fitoi çmimin e lojtarit të ndeshjes. Pas kualifikimit, ky çmim iu nda yllit brazilian, Neymar, pasi kishte mbi dhjetë driblime, shumë raste të krijuara dhe një asistim. Megjithatë, braziliani ka bërë një gjest të madh pas marrjes së çmimit. Ai këtë çmim ia ka dhuruar heroit të mbrëmjes, Chuopo-Moting, si më meritori për kualifikimin e PSG-së në gjysmëfinale.
Tuchel: Kualifikim dhe fitore absolutisht e merituar e PSG-së
Nw anwn tjetwr, trajneri i PSG, Thomas Tuchel këmbëngul se skuadra e tij absolutisht e ka merituar arritjen në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, ndërsa gjatë gjithë ndeshjes e ka ndjerë se ekipi do të shënonte ndaj Atalanas. “Sot ishte ditëlindja e 50-të e klubit, kështu që një lojë si kjo, në një rast të tillë historik, që tashmë kemi fituar katër trofe këtë sezon dhe tani në gjysmëfinale, ne sigurisht nuk do ta harrojmë këtë ditë”, ka thënë fillimisht Tuchel për RMC Sport. Pavarësisht nga vështirësitë që ata kishin kundër një skuadra të bashkuar të Atalantas, Tuchel ishte gjithmonë i sigurt për fitoren. “Asnjëherë nuk u ndjeva se nuk do të shënonim gol përfundimisht. Unë madje u thashë asistentëve të mi, pasi të kemi një të tillë, jam i sigurt që do të shënojmë të dytin menjëherë. Kemi luajtur një ndeshje shumë, shumë të mirë dhe kualifikimi ynë për në gjysmëfinale është absolutisht i merituar. Natyrisht, pati edhe pak fat, por nëse e shikonit të gjithë lojën, ne merituam të kalonim tutje. Ne ishim në kontroll të plotë në pjesën e dytë, gjetëm ritmin tonë dhe lojtarët që dolën nga bankina ishin të jashtëzakonshëm, duke bërë një ndryshim të madh”, përfundoi trajneri i PSG-së.
Gasperini: Më vjen keq pasi iu afruam shumë gjysmëfinales
Gian Piero Gasperini e pranon se pranimi i dy golave në fund i ka lënduar më shumë sesa fitorja e PSG-së, sepse Atalanta u afrua aq shumë me gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve. “Keqardhja më e madhe është se u afruam aq shumë dhe menduam se mund të arrinim vërtet këtë arritje të jashtëzakonshme”, ka thënë fillimisht Gasperini për Sky Sport Italia. “Kënaqësia mbetet që kemi pasur një sezon të shkëlqyer në Ligën e Kampionëve, duke u përmirësuar vazhdimisht kundër skuadrave më të mira në Evropë. Unë vetëm mund të falënderoj djelmoshat për gjithçka kanë bërë këtë sezon. Është zhgënjyese sepse u afruam kaq afër. Ka disa nga lojtarët më të mirë në botë, Mbappe dhe Neymar, të cilët në një moment të caktuar ua vështirësuam jetën. Ne mund të pranonim më herët, në një mënyrë që mund të ishte më mirë, pasi pranimi në shtesë dëmton më shumë. Ne bëmë gjithçka që mundëm, në përfundim të ndeshjeve shumë të vështira dhe rraskapitëse, kështu që mund vetëm të falënderoj djelmoshat”, shprehet tekniku italian. “Liga e Kampionëve është një garë shumë e veçantë dhe lexova pak kohë që Jose Mourinho tha se ishte gara e detajeve. Detajet bëjnë ndryshimin kur lojërat janë kaq të ekuilibruara dhe mund të shkojnë në një mënyrë ose në tjetrën. Pavarësisht nga çdo gjë, kemi arritur në minutën e 90-të në epërsi. Ne sigurisht që ishim të përgatitur mirë në paraqitje të caktuara, kishte një mundësi Berat Gjimshiti, dhe mund të kishim bërë më mirë në disa kundërsulme, por përsëri, këto janë të gjitha detajet”, përfundoi Gasperini.