U ndëshkua me karton të kuq në ndeshjen ndaj Malaga-s, Neymar mund të humbasë “El Classico”-n. Por ekziston mundësia që as Cristiano Ronaldo mos të jetë në fushë gjithashtu. Barça mund të ketë humbur shumë më tepër në ndeshjen ndaj Malaga-s, e fituar 2-0 nga kjo e fundit. 20 minuta nga fundi i ndeshjes, Neymar ka ndërhyrë ashpër me takë ndaj Llorente-s dhe arbitri Gil Manzano nuk e fali duke i treguar kartonin e dytë të verdhë pas të parit në minutën e 27’ për një gjest antisportiv. Sipas rregullores dy kartona të verdhë në një sfidë pasohen nga pezullimi me vetëm një ndeshje. Por ai që mund ta zgjasë pezullimin e tij është gjesti që sulmuesi brazilian ka bërë ndaj gjyqtarit të katërt të ndeshjes ndërsa ka qenë duke lënë fushën e lojës. Për rrjedhojë ndëshkimi i tij pritet të jetë më i gjatë nga Komisioni i Disiplinës i Federatës Spanjolle. Ky është kartoni i parë i kuq i marrë nga Neymar pas 179 ndeshjesh të luajtura me fanelën blaugra dhe mund t’i kushtojë shtrenjtë atij dhe klubit.
Po Cristiano Ronaldo? Ylli portugez ka marrë katër kartonë të verdhë dhe nëse merr një tjetër në ndeshjen e Real Madrid me Sporting Gijon ai gjithashtu do të humbasë El Classico-n. Zinedine ZIdane me siguri që do të shmangë që ylli i tij të luajë ndaj Gijon që të mos e rrezikojë. Zëvendësuesit e Real Madrid-it kanë treguar këtë sezon se kanë potencialin e duhur për të luajtur në vend të çdo titullari. Deri në atë pikë sa disa analistë po bëjnë thirrje për një “çmontim” të BBC-së… Ku në veçanti Cristiano Ronaldo po përjeton një nga sezonet e tij më të këqija për sa i takon raportit gola/prezenca.