Bartomeu nuk i frikësohet kërcënimeve të Atletico Madridit për rastin e Griezmannit. Presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, gjatë prezantimit të Antoine Griezmann, ka folur edhe në lidhje me formulën se si u arrit marrëveshja me Atletico Madridin. Klubi nga Madridi pretendon ka pasur padrejtësi dhe parregullsi në këtë akord, pasi raportohet se Barça kontaktoi lojtarin kur kishte klauzolë 200 milionë euro, ndërsa në fund e mori për 120 milionë.
Derisa Atletico insiston edhe për 80 milionë eurove të tjera, Bartomeu iu ka dërguar sinjale se gjithçka është e trilluar dhe se nuk është e vërtetë që kanë kontaktuar lojtarin në mars.
Ai tha se Atletico s’do të gjejë asnjë provë kundër Barçës.
“Nuk ishte e lehtë ta merrnim, sepse na u desh që të binim në ujdi për mënyrën e pagesës. Kërkuam borxh në bankë 35 milionë euro, ndërsa 85 milionë eurot e tjera erdhën nga shitjet që kishim bërë”, tha Bartomeu.
“Nuk kishte asgjë mes nesh dhe Girezmann në mars, e kontaktuam kur tha se do të linte Atletico Madrid. Nuk ka prova, kam folur me vetë presidentin e Atleticos, Cerezo”.
“Neymar? Jemi duke prezantuar një nga sulmuesit më të mirë në botë, pjesa tjetër e pyetjeve nuk vlen…”.
Griezmann ka nënshkruar kontratë 5-vjeçare dhe do ta veshë fanellën me numrin 17.