Shkup, 13 shkurt – Afati kalimtar i dimrit në Maqedoni përfundoi të hënën në mbrëmje, ndërsa në ditën e fundit të këtij afati, FC Shkupi arriti që në radhët e saja të sjell mbrojtësin me prejardhje nga Bosnja e Hercegovina Toni Tipuriç. Ndryshe ky transferim u realizua falë agjencisë “N11 Sports Management”, e cila udhëhiqet nga ish-futbollisti Armend Nexhipi.
Për gazetën KOHA, Nexhipi rrëfen se si është realizuar ky transferim. “Drejtuesit e klubit që moti ishin në kërkim të një mbrojtësi. Unë si drejtues i agjencisë “N11 Sports Management” dhe në bashkëpunim me agjencinë tjetër “SEE Sport Management ” e cila udhëhiqet nga ish-futbollisti i njohur i Kroacisë Dado Përsho dhe Dean Jurçiç, ua propozova disa emra, në mesin e të cilëve ishte edhe Toni Tipuriç. Falë CV-së dhe klubeve ku futbollisti boshnjak kishte luajtur, drejtuesit e klubit nga Çairi e zgjodhën pikërisht atë dhe pas disa bisedimeve që i kishim, arritëm që në ditën e fundit të afatit kalimtar të dimrit, të njëjtin ta zyrtarizojmë si futbollist i ri i FC Shkupi”, shprehet për KOHA, Nexhipi.
Ai thotë se është i kënaqur që ky transferim u realizua, derisa zbuloi edhe disa detaje për agjencinë e tij “N11 Sports Management”. “Jemi të kënaqur me transferimin e Toni Tipuriç te FC Shkupi, pasi bëhet fjalë për një lojtar kualitativ, i cili ka eksperiencë të madhe. Shpresojmë se ai do të dëshmojë kualitetin që posedon, ndërsa e mira e kësaj është se tani ne posedojmë gjysmën e kartonit të tij. Sa i përket agjencisë “N11 Sports Management”, selia qendrore është në Zvicër dhe udhëhiqet nga menaxheri Jeton Kaba, ndërsa kemi selinë tonë në Tiranë dhe Shkup. Ndërkohë, aktualisht menaxhojmë 16 lojtarë nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria dhe shpresojmë se ky numër do të rritet në të ardhmen edhe më shumë”, përfundoi Nexhipi. Cekim, gjatë karrierës së tij profesionale, Armend Nexhipi i cili është vëllai i ish-futbollistit të mirënjohur Nderim Nexhipi, ka luajtur për skuadrat si Slloga Jugomagnat (tani FC Shkupi), Sllavia Praga dhe Bohemians.