Shkup, 3 janar – Nderim Nexhipi është emëruar drejtor sportiv i skuadrës së Kukësit. Zyrtarizimi i ish-futbollistit shkupjan është bërë dje në lokalet e klubit nga ana e kryetarit të klubit Safet Gjici, derisa ky i fundit ka prezantuar edhe trajnerin e ri Peter Pacult. “Drejtor i ri i Kukësit do të jetë Nderim Nexhipi, një emër i njohur. Gjithashtu, edhe pozicioni i tij nuk është pa rëndësi. Besoj që mes trajnerit dhe drejtorit do të jetë i suksesshëm ky bashkëpunim. Nexhipi do të jetë dhe përgjegjës për marrëdhëniet me publikun në klub. Kemi pasur dikë që vetëm ka afruar lojtarë, por na duhet dhe dikush që te shesë lojtarë jashtë vendit”, u shpreh Gjici. Cekim, Nderim Nexhipi është njohës i mirë i Kategorisë Superiore dhe i futbollit shqiptar në tërësi. Është aktivizuar për Partizanin, duke qenë kapiten i këtij ekipi, ku edhe sot e kësaj dite është idhulli i tifozërisë së kuqe. Vitin e kaluar, në fazën e parë luajti për Korabin në Superiore, ndërsa në fazën e dytë kaloi te Drita e Gjilanit, ekip ku më parë ishte aktivizuar edhe i ati, duke mbyllur me futbollin e luajtur në Kosovë. Kulmin e karrierës së tij Nderim Nexhipi e pati te Herta Berlin dhe Volfsburg në Bundesliga. Gjithashtu është aktivizuar me ekipet në kampionatin e Maqedonisë, por edhe me përfaqësuesen e Maqedonisë. Spikat dy herë aktivizimi me Shkëndijën e Tetovës, por gjithashtu Nexhipi ka luajtur edhe në Vlorë me Flamurtarin.
Nuk përfundon këtu karriera e Nexhipit, pasi ai ka luajtur edhe në Belgjikë me Lierse, në Azerbajxhan me Karabag dhe në Rumani me Vaslui. Duke njohur shumë gjuhë të huaj, kontakte në shumë vende të Evropës dhe njohës shumë i mirë futbollit rajonal (Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri), por duke zotëruar edhe një agjenci të veten menaxhimi futbollistësh, i jep përparësi në rolin e ri të drejtorit të përgjithshëm.
Së fundmi, Nexhipi ishte opinionist në “Supersport”, në emisionin e Vilma Mashës, “Gol pas Goli”, duke komentuar me profesionalizëm ndeshjet e Kategorisë Superiore.