Parà me prejardhje “të fshehtë” dhe një pronar misterioz nga Kina. “New York Times” i ka kushtuar një faqe klubit të AC Milan. Sui-Lee Wee, Ryan McMorrow dhe Tariq Panja, autorët e artikullit, kanë analizuar situatën e Li Yonghong, që nga muaji prill pronar i klubit dhe të grupit “Guizhou Fuquan Group”, i përmendur në curriculumin zyrtar të Zotit Li, si aseti i tij kryesor, një grup që ka pronësinë e minierës më të madhe të fosforit në Kinë.
“New York Times” shkruan se perandoria minerale e përshkuar nga Li Yonghong as që nuk njihej nga specialistët e këtij sektori dhe ngjall dyshime mbi pronarët e kësaj miniere, që i përket “Guangdong Lion Asset Management”, një kompani që ka ndryshuar katër pronarë në dy vitet e fundit. Mes tyre, Li Shangbing, që shfaqet si përfaqësues ligjor i “Sino-Europe Asset Management”, e njohur si një nga kompanitë kineze që shtatë muaj më parë bleu Milan.
Li Shangbing ka thënë për “NYT” që nuk e njeh Li Yonghong, por gazeta amerikane i lidh me njëri-tjetrin, jo vetëm te puna në “Sino-Europe Asset Management”, por edhe për një përplasje ligjore ku Li Yonghong dhe Guangdong Lion janë akuzuar së bashku. Gazetarët nga SHBA kanë vizituar zyrat e “Guangdong Lion”, në Guangzhou, në gushtin e kaluar dhe atje gjithçka ishte e mbyllur nga jashtë, ndërsa brenda kishte disa karrige dhe tavolina të çrregullta, kompjuterë pa hard-disk dhe krimba në koshat e plehrave.
“New York Times” nënvizon si miniera në fjalë ka ndryshuar katër herë pronar dhe në dy raste me kosto zero. Në mënyrë kurioze thuajse të gjithë pronarët quhen Li, edhe pse bëhet fjalë për një nga mbiemrat më të zakonshëm në Kinë. Li Shangsong, bashkëpronar me Li Shangbing, i ka shitur kuotat e tij te Li Qianru. Më pas, Li Shangbing dhe Li Qianru e dorëzuan të gjithë minierën te Li Yalu me kosto zerro, që gjithashtu, tre javë më vonë, ia dha “gratis” Zhang Zhiling. Si kuptohet, nuk është e lehtë të gjesh arsyen e këtyre veprimeve dhe sa kanë të bëjnë me AC Milan.
Në artikull, “NYT” kujton precedentët e Li Yonghong dhe të familjes të tij. “Në vitin 2013, autoritet e sigurisë kanë gjobitur Zotin Li me 90.250 dollarë sepse nuk kishte komunikuar shitjen e disa aksioneve për 51,1 milionë dollarë. Në vitin 2004, sipas “The Shanghai Securities News”, organi informator i qeverisë kineze, kompania e familjes së Zotit Li, “Guangdong Green River Company”, ishte bashkuar me dy kompania të tjera si pjesë e një mashtrimi që përfshiu 5 mijë investitorë me një total për 68 milionë dollarësh. Babai dhe vëllai i Zotit Li u dënuan me heqje lirie. Zoti Li u hetua, por nuk u akuzua për asgjë.
“New York Times” ka kontaktuar protagonistët e çështjes dhe Zoti Li, nëpërmjet klubit të Milan, ka refuzuar intervistën. Rothschild, këshilltari i Li në bisedimet me Berlusconi, nuk ka dashur të komentojë. Li Shangbing në një intervistë telefonike ka thënë se nuk e njeh Li Yonghong, ka mohuar përfshirjen e tij te “Sino-Europe” dhe që ka kuota te Milan, duke refuzuar t’i përgjigjet pyetjeve të tjera.
Milan nuk ka dashur të jap komente për rolin e Li Shangbing, por një zëdhënës i klubit deklaroi se kontrolli i Zotit Li te miniera është verifikuar edhe nga avokatët e bankave të përfshira në marrëveshje. I njëjti zëdhënës, sipas “NYT”, ka thënë se Li nuk kishte të bënte me akuzat ndaj familjarëve të tij, ndërsa 90 mijë dollarët gjobë janë marrë si pjesë e panjohurisë së tij në hapat e parë në bursë. “NYT” nuk ka mundur të gjejë Chen Huashan, përfaqësuesi ligjor i “Sino Europe Sports Investment Management”, protagonist në blerjen e klubit, njeriu që në fillim u prezantua si krahu i djathtë i Li Yonghong. Ku ka përfunduar ai?!