Urim HASIPI
Tetovë, 20 dhjetor – Ambasadori i Bashkimit Evropian në Maqedoni, Samuel Zhbogar, ka thënë se partitë politike dhe qytetarët e Maqedonisë, duhet që të bashkohen dhe të bëjnë hapa të rëndësishëm në implementimin e reformave në shumë sfera, me qëllim që vitin e ardhshëm vendi të marrë ftesë për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian. “Unë jam i sigurt se nëse të gjitha partitë politike dhe të gjitha grupet etnike në vend nëse bashkohen në një pikësynim të vetëm që të bëjnë hapa të pakthyeshëm në implementimin e reformave në gjyqësi, në administratën publike dhe në sektorin e sigurisë. Nëse këta parti politike dhe grupet etnike ndryshojnë sjelljen dhe mentalitetin këtu në vend, jam i sigurt se ne do të shohim progres gjithashtu edhe brenda ose në relacionet në mes Bashkimit Evropian dhe vendit tuaj se vitin 2018 do të mund të shohim të gjithë realizimin e pikësynimit, të cilin të gjithë ne e kemi pritur dhe e kemi dëshiruar dhe ajo është hapja e negociatave me bashkimin Evropian”, tha Samuel Zhbogar, ambasador i BE-së.
Sipas tij, çdo shënim paraqet një rast dhe një mundësi që si Bashkim Evropian të shikojmë përpara, duke pasur parasysh edhe përkrahjen për vendet që aspirojnë të anëtarësohen në këtë union. “Po ashtu kjo paraqet edhe mundësi që ne si Bashkim Evropian të shohim arsyet se pse ekzistojmë dhe kjo nuk është vetëm për ekonominë apo zhvillimin ekonomik, por BE qëndron edhe për vlerat që kanë të gjitha anëtarët e BE-së dhe këto vlera janë të drejtat e njeriut, demokracia, përfshirja sociale si dhe barazia e të gjithë qytetarëve dhe këto janë parimet që ne si BE presim që të gjitha vendet aspirante t’i realizojnë. Sa i përket Ballkanit Perëndimor dhe vendit tuaj, mendoj se përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme, Frederika Mogherini, ishte shumë e qartë para disa ditëve kur tha se dyert e BE-së për këtë rajon mbeten të hapura dhe shpreson se viti 2018, do të jetë një mundësi e mirë që këto vende dhe vendi juaj të bëjnë hapa të pakthyeshëm në procesin euro integrues të vendit. Sa i përket Ballkanit Perëndimor dhe vendit tuaj, mendoj se përfaqësuesja e lartë për Politikë të Jashtme, Frederika Mogherini, ishte shumë e qartë para disa ditëve, kur tha se dyert e BE-së për këtë rajon mbeten të hapura dhe shpreson se viti 2018 do të jetë një mundësi e mirë që këto vende dhe vendi juaj të bëjnë hapa të pakthyeshëm në procesin euro integrues të vendit”, theksoi Zhbogar.
Ai këto komente i ka bërë gjatë hapjes së ekspozitës në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, me temën Bashkimi Evropian edhe më afër. Kjo ekspozitë është hapur me rastin e 60 vjetorit të nënshkrimit të Traktatit të Romës. ”Jam i gëzuar që sot gjendem në UEJL. Ky është universiteti i 5 që ne paraqesim këtë ekspozitë për nënshkrimin e Marrëveshjes së Romës, që është mjaft e rëndësishme dhe arsyeja është se këtë vit shënojmë 60 vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Romës, që paraqet fillimin e Bashkimit Evropian, ashtu siç e njohim sot dhe arsyeja e dytë është që të shikojmë pas procesin e Evoluimit të Bashkimit Evropian si dhe sukseset që kanë mundur t’i ndjejnë vet anëtarët e Bashkimit Evropian si dhe qytetarët e saj”, deklaroi ambasadori Zhbogar. Me këtë rast, fjalim ka mbajtur edhe rektori i UEJL, Zamir Dika, i cili nënvizoi se UEJL ekziston pikërisht falë vlerave që kultivohen në Bashkimin Evropian. Të pranishmëve iu drejtua me një fjalim edhe ambasadori i Italisë në Maqedoni, Carlo Romeo, i cili nënvizoi se Italia vazhdon të përkrah vendet e Ballkanit në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Më pas, po ashtu është mbajtur edhe një debat me studentët e Fakultetit të Drejtësisë në kuadër të këtij universiteti. (koha.mk)