Ambasadori i Britanisë së Madhe, Çarls Geret dhe ambasadorja e OSBE-së, Nina Sounalainen, duke folur për rolin e rëndësishëm të gjyqësorit si garantues për sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore të qytetarëve, thanë se fuqishëm e mbështesin rrugën e Maqedonisë drejtë Bashkimit Evropian. “Misioni ynë ka gjetur partnerë të fortë në gjyqësor. Së bashku kemi zbatuar shumë projekte me rëndësi të madhe që kanë shërbyer për përforcimin e institucioneve të vendit”, tha shefja e misionit të OSBE-së në Shkup, Nina Suomalainen. “Nevojiten përpjekje shtesë. Akoma ekzistojnë shumë sfida përpara, posaçërisht në lidhje me pavarësinë e gjyqësisë, si dhe paanshmërinë dhe efikasitetin e gjykatave. Shpresoj që të gjitha institucionit të rrisin përpjekjet e tyre dhe të përballen me sfidat”, tha ajo. Ambasadori britanik, Çarls Garet, vendi i të cilit mbështeti financiarisht takimet e gjykatësve, tha sundimi i ligjit dhe nocionet të cilat ai i mbron, janë në qendër të debatit politik sot. “Janë në qendër të Marrëveshjes së Përzhinos dhe të gjetjes së një dalje të qëndrueshme nga kriza politike. Në të gjitha demokracitë, sundimi i ligjit është gur themel mbi të cilin bazohet liria, drejtësia, respekti, prosperiteti, dhe gjithçka tjetër që duam ne. Kur gjithçka që bëjmë ne ndërtohet mbi bazën e këtij themeli, shoqëria do të jetë më e fortë, për qytetarët sot dhe për gjeneratat e ardhshme”, theksoi ai.