Shkup, 13 nëntor – Në Bruksel javën e kaluar u publikua raporti i progresit për Maqedoninë, ku ashtu edhe siç pritej, vendit iu dha rekomandimi i 8-të për fillimin e negociatave, por edhe kësaj radhe me kusht. Kusht mbetet implementimi i obligimeve që burojnë nga Marrëveshja e Përzhinos, respektivisht organizimi i zgjedhjeve të lira dhe demokratike më 11 dhjetor. Por përveç tyre, në raport evidentohen një sërë vërejtjesh që kanë të bëjnë me gjyqësorin, korrupsionin, lirinë e mediave dhe fusha të tjera, në të cilat duhet të bëhen përparime. Në një intervistë ekskluzive për gazetën KOHA, zëvendëskryeministri për eurointegrime Arbër Ademi, thotë se raporti është real dhe pasqyron objektivisht situatën në vend.
KOHA: Raporti i KE-së, i 8-ti me radhë për Progresin e Maqedonisë është i kushtëzuar sa i përket hapjes së negociatave për anëtarësimin e vendit në BE. Për dallim nga raporti i vitit të kaluar, ketë viti Brukseli nuk ka dhënë asnjë vlerësim pozitiv se Maqedonia ka bërë progres në ndonjë fushë. Si e vlerësoni në përgjithësi raportin e KE-së?
ADEMI: Vitin e kaluar dhe këtë vit aplikohet metodologjia e re e Komisionit Evropian, sipas të cilës vlerësohet progresi në periudhën raportuese por edhe statusi apo niveli i përmbushjes sa i përket kritereve politike dhe ekonomike për anëtarësim në BE dhe niveli i harmonizimit me legjislacionin evropian dhe kapaciteteve për zbatimin e saj në praktikë. Sipas mendimit tim, raporti për vitin 2016 është pasqyrim objektiv, ekspertësh dhe real i asaj çfarë kemi dhe çfarë nuk kemi bërë apo realizuar si shtet në kuadër të detyrimeve të ndërmarra, dhe kryesisht përmban rekomandime konkrete dhe të qarta ku duhet të përqendrohen përpjekjet tona në periudhën e ardhshme. Sigurisht se vlerësimet e raporti të këtij viti bazohen kryesisht në ato ngjarje që shënuan vitin e kaluar, sidomos kriza politike e cila ndikoi në mënyrë të konsiderueshme në dinamikën e realizimit të proceseve reformuese në periudhën raportuese. Për ne është veçanërisht e rëndësishme që Komisioni Evropian mbetet i përkushtuar për të rekomanduar fillimin e negociatave për anëtarësim në BE, edhe pse me formulim të kushtëzuar. Më lejoni të shtoj se Komisioni Evropian na dha, plotësisht me meritë, rekomandimin në vitin 2009 dhe tetë vite me radhë e përsërit të njëjtën. Pra, nuk bëhet fjalë për tetë rekomandime, por për atë se akoma i plotësojmë kushtet për fillimin e negociatave, tetë vite me radhë… (më gjerësisht në numrin e nesërm të gazetës KOHA)
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.