Laura PAPRANIKU
Shkup, 5 mars – Mungesa e hapësirave shkollore në Komunën e Çairit ka arritur në pikën kritike dhe duket se nuk ka mbetur as kohë për të shkuar në zgjidhjet afatgjate të problemeve. Deri në ndërtimin e shkollave të reja, që padyshim se janë nevoja prej të cilave vështirë se do të mund të shpëtojnë organet kompetente, Komuna e Çairit do të duhet të gjejë zgjidhje të shpejtë dhe afatshkurtër për shkolla të caktuara, shkruan gazeta KOHA. Nëse deri vitin e ardhshëm shkollor 2018/2019 nuk zgjerohen hapësirat e shkollës fillore “Ismail Qemali” në lagjen “Fusha e Topanës”, shkolla nuk do të jetë në gjendje fizike të sigurojë klasë për të gjithë nxënësit e saj. Vitin 2017/2018 kjo shkollë e nisi me 1460 nxënës, të shpërndarë në 20 klasë të rregullta dhe 4-5 të improvizuara.
Në shumë paralele, numri i nxënësve është me nga 36, 37 dhe 38 në klasë, ndërsa duke parë tendencën në rritje të numrit të nxënësve në këtë lagje – nevoja për të ofruar zgjidhje hapësinore, sikurse thotë kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, është urgjente.
“Në të kaluarën është punuar mjaft për përmirësimin e infrastrukturës arsimore në Komunën e Çairi. Janë ndërtuar objekte për shkollat ‘Kongresi i Manastirit” dhe ‘Adem Jashari’ dhe është investuar në përmirësimin e kushteve. Por, për shkolla, asnjëherë nuk është mjaft të punohet dhe të investohet. Është një sferë e cila kërkon të jetë në hap me zhvillimin teknologjik dhe modernizimin e shoqërisë në përgjithësi”, thotë Ganiu. Por përtej këtyre premisave, ai është koshient edhe për mungesën e kushteve elementare në disa shkolla, konkretisht për mungesën e klasave për mësim.
“Në disa shkolla kemi vërtetë problem me mungesën e hapësirave për mësim, sidomos në SHF ‘Ismail Qemali” dhe SHF ‘Liria’, për të cilat kemi plane zgjerimi”, shprehet Ganiu. Ai është optimist se të dyja këto shkolla do ta presin vitin e ardhshëm me hapësira të reja të zgjeruara, pavarësisht se të njëjtat nuk janë pjesë e programit të investimeve kapitale të Ministrisë të Arsimit dhe Shkencës (MASH) për vitin 2018. Zëvendësministri i Arsimit, Arbër Ademi, numëron dy shkolla të tjera si pjesë të Programit të investimeve kapitale të këtij viti, konkretisht shkollën e nxënësve me nevoja të posaçme “Idnina” dhe SHF “Vasil Gllavinov” në Komunën e Çairit. “Na janë dorëzuar një numër i madh i projekteve për ndërtimin e shkollave. Nga Komuna e Çairit kemi projekte për shkollën e nxënësve me nevoja të veçanta ‘Idnina’ dhe SHF ‘Vasil Gllavinov’ dhe padyshim se do të mirëpresim edhe kërkesa të tjetra”, pohon zëvendësministri Ademi, duke lënë të hapur mundësinë e investimeve nga ana e MASH-it edhe për shkolla të tjera, që për momentin nuk janë në Programin e investimeve kapitale të 2018-ës.
Pavarësisht kësaj, Ganiu thotë se ekzistojnë mundësi që zgjerimi i shkollave “Ismail Qemali” dhe “Liria” të bëhen pjesë e atij programi posa të përfundojë kompletimi i dokumentacioneve përkatëse. “Meqë bëhet fjalë për zgjerime deri në 20 për qind të hapësirave, ekziston mundësia që Komuna të nis procedurat për zgjerimin e këtyre dy shkollave. Ne jemi duke kompletuar dokumentacionin e nevojshëm të cilin do ta kemi gati shumë shpejt dhe të njëjtin do t’ia dërgojmë MASH-it”, sqaron kryetari Ganiu, duke u shprehur optimist se në shtator, SHF “Ismail Qemali” dhe SHF “Liria” do të jenë më hapësira të zgjeruara. Sipas tij, edhe nëse punimet ndërtimore nisin në muajin qershor, ka aq kohë sa të dyja këto shkolla ta presin shtatorin me hapësira të zgjeruara. Në të njëjtën kohë, sikurse pohon kryetari i Komunës, punohet në planin e ndërtimit të shkollave të reja. “Për momentin jemi duke parë mundësinë e ndërtimit të një kopshti dhe një shkolle fillore në hapësirat që gjenden mes Universitetit Ndërkombëtar Ballkanik dhe lokacionit për ndërtimin e Universitetit ‘Nënë Tereza’. Por, meqë bëhet fjalë për tokë e cila gjendet në kufijtë matanë Komunës së Karposhit, duhet që të dyja komunat, pra Çairi dhe Karposhi të merremi vesh se cili do të ishte varianti më i volitshëm për ndërtimin e asaj shkolle”, thotë Ganiu. Në Planin detal Urbanistik të Komunës së Karposhit, në vendin e synuar është paraparë ndërtimi i një kopshti dhe shkolle fillore.
Por, në këtë pjesë të komunës fqinje nuk ka aq banor sa të kenë nevoja për ndërrimin e kopshtit dhe shkollës, ndërkohë që në kufijtë e këtej Komunës së Çairit – nevoja kopshte dhe shkolla është jashtëzakonisht e madhe.
Kadri Agushi, drejtori i SHF “Ismail Qemali” thotë se nevoja për sigurimin e klasave të reja është urgjente. “Për zgjidhe afatgjate, patjetër që duhet të ndërtohet nj shkollë e re, pasi do të shkojë në rreth dy mijë numri i nxënësve. Objekti ekzistues mund të zgjerohet me tetë klasë të reja dhe kjo do të zbut dukshëm problemi hapësinor,. Mirëpo do të kemi problemin e mbingarkesës. Imagjinoni një shkollë fillore me rreth dy mijë nxënës se si mund të funksionojë”, shprehet drejtori. Në të njëjtën kohë, Agushi, e vlerëson si shumë pozitive edhe zgjerimin si zgjidhje afatshkurtre.
“Momentalisht kemi 49 paralele, mirëpo vitin e ardhshme ku numër do të shkojë në 50. Në shkollë kemi vetëm 20 klasë të rregullta për zhvillimin e mësim. Për shkak të mungesës së hapësirave kemi improvizuara edhe 4-5 klasa, të cilat nuk do të na mjaftojnë që të organizojmë mësimin për vitin tjetër. Edhe tani nxënësit e klasave të para i vendosim në çerdhen përballë ku mësojnë në tre ndërrime. Pra gjendja është tepër alarmante”, shprehet drejtori Agushi. (koha.mk)