Patriot LUMANI
Strugë, 26 mars – Kalishti është fshati i vetëm shqiptar në gjithë hapësirën e bregut të liqenit të Ohrit në pjesën e Maqedonisë, i cili pavarësisht resurseve të shumta, sidomos atyre turistike, vazhdon të ballafaqohet me mungesën e investimeve dhe larg të konsideruarit si një lokalitet që përfiton nga këto resurse, shkruan gazeta KOHA. Guri Sadiku, kryetar i Bashkësisë Lokale të Kalishtit, potencon se fshati vazhdon të ballafaqohet me probleme pothuajse të njëjta prej disa dekadash, përveç disa investimeve të vogla në infrastrukturë. Si një nevojë emergjente është pastrimi i kanaleve, nevoja për asfaltimin e disa rrugëve të brendshme të fshatit që nuk i kalojnë 500 metra. Ndërkohë, një problem i ri, sipas Sadikut, së fundi që iu shtua fshatit, është edhe tjetërsimi dhe më pas shitja e një hapësire përballë shkollës së fshatit, e cila ishte menduar si një hapësirë ndihmëse për nevojat e shkollës dhe fshatit. Ndërkohë, të vetmet investime që së fundi janë realizuar, kanë ndodhur në masë të madhe falë kontributit të mërgimtarëve dhe banorëve vendor, si ndërtimi i rezervuarit dhe rehabilitimit të një pjese të rrjetit ku ka kontribuar edhe komuna, rehabilitimi i shkollës së fshatit, investimi te varrezat e fshatit si dhe një sërë investimesh të tjera. Sadiku, si kryetar i ri BL të Kalishtit, potencon për KOHA se si vendbanim i vetëm shqiptar në breg të liqenit, ky lokalitet ka nevojë emergjente për investime në mënyrë që edhe ky vendbanim të mund të zhvillohet falë turizmit. “Presim më shumë kujdes për fshatin Kalishtë. Kemi kërkuar pastrimin e kanaleve dhe shtrimin me asfalt të dy rrugëve të brendshme, por deri tani asgjë nuk ka ndodhur”, përfundon ai. Në kohën e monizmit banorët shqiptarë të Kalishtit, edhe pse jetonin afër liqenit, ata nuk mund t’i shfrytëzonin të mirat që vinin nga kjo pasuri natyrore. Për ata vlenin rregulla të tjera në dallim nga bashkëqytetarët maqedonas, të cilët edhe pse në minorancë, ishin më të privilegjuar në çdo drejtim .Shqiptarët e Kalishtit nuk kishin asnjë qasje në peshkim apo në punësim në sektorin e turizmit, posaçërisht në hotelet e këtushme, diskriminim që shkonte deri në absurd, gjë që i detyronte banorët e këtushëm që me të madhe të zgjedhin mërgimin si alternativën e vetme e mbetur. Aktualisht edhe pse në fazat e para të iniciativës, edhe te banorët shqiptar të Kalishtit ka filluar të mbizotëroj ideja që edhe ky lokalitet mund të zhvillohet, duke shfrytëzuar të mirat e liqenit dhe turizmit. Kalishti ndodhet në pjesën jugore të Komunës së Strugës, buzë liqenit, rreth 4 kilometra larg qytetit të Strugës. Fshati është i rrafshët dhe ndodhet në një lartësi mbidetare prej 696 metra. Një pjesë e popullsisë merret me hoteleri dhe peshkim, por pjesa më e madhe e banorëve të këtij fshati janë me punë të përkohshme në vendet evropiane ku jetojnë bashke me familjet e tyre. Kjo dukuri, e cila është masivizuar dy dekadat e fundit, sipas kalishtasve, ka ndikuar në zvogëlimin e numrit të nxënësve në shkollën e fshati. Para disa viteve çdo klasë numëronte mbi tridhjetë nxënës, ndërsa tani mezi që bëhen pesë a gjashtë nxënës. Kalishti ka shkollën fillore deri në katër vjet, ndërsa prej klasës së pestë deri ne klasën e nëntë nxënësit e ndjekin mësimin në qytetin e Strugës. Fshati Kalisht ka shitore dhe punëtori private dhe disa kapacitetet hotelerike pranë Liqenit të Ohrit. Kalishti ka mbi 200 shtëpi dhe pjesa dërmuese (mbi 90 për qind) u takojnë shqiptarëve.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara