Doc.dr. Argëtim SALIU
Konfliktet më shpesh lindin mes individëve dhe grupeve sipas interesave dhe dëshirave të ndryshme. Një ndër burimet kryesore të konflikteve në shoqëri janë: dallimet, kundërthëniet, marrëdhëniet kontestuese, statusi etj. Si burime më të shpeshta të shumë konflikteve dhe pakënaqësive që paraqiten në shoqëri dhe shpijnë deri në revolta dhe diskriminime janë: raportet, kontestet dhe dallimet ekonomike, financiare dhe politike. Kjo, posaçërisht vlen për disa nga llojet e politikave publike, siç janë: politikat rregullative dhe redistribuive. Gjendja e vështirë ekonomike dhe statusi juridiko-politik i individëve dhe grupeve të ndryshme në shoqëri, bëjnë trysni dhe përpjekje deri tek institucionet e sistemit që të ndryshojnë politikën rregullative ndaj këtyre shtresave të pakënaqura dhe të diskriminuara në shoqëri. Po ashtu edhe vetë ndryshimet dhe konfliktet sociale i stimulojnë kërkesat për të ndërmarrë veprime konkrete nga ana e institucioneve përkatëse, siç janë kuvendi dhe qeveria. S’do mend se çështja e pagave mujore në sektorin publik dhe shtetëror është një fushë specifike e cila mbështetet në ligj dhe në akte nënligjore. Në Republikën e Maqedonisë kemi tre ligje në fuqi të cilat e rregullojnë fushën e marrëdhënies së punës, edhe atë: ligji për marrëdhënie pune, ligji për nëpunës publik dhe ligji për nëpunës administrativ. Po ashtu kemi edhe një sërë aktesh nënligjore (rregullore për sistematizim) të cilat në mënyrë më të detajuar e përshkruajnë dhe rregullojnë fushën për marrëdhënie pune. Nevoja për nivelizimin dhe standardizimin e pagave në sektorin publik lind për shkak të dallimeve të mëdha që ekzistojnë në pagat mujore. Kemi pabarazi tek nëpunësit të cilët për punë të njëjtë, në sektor të njëjtë, por të punësuar në institucione të ndryshme marrin paga mujore krejtësisht ndryshe! Në Republikën e Maqedonisë kemi dy lloje të organizatave administrative, të cilat mund t’i klasifikojmë në: organizata që konsistojnë në ushtrimin e pushtetit (administrata klasike shtetërore) dhe organizata që ushtrojnë shërbime të caktuara publike (administrata publike, nocioni më i përgjithshëm). Në grupin e parë, pagat mujore për nëpunësit administrativ janë të caktuara në ligjin për nëpunës administrativ. Këto paga janë dukshëm më të vogla në krahasim me grupin e dytë, ku bëjnë pjesë organizatat dhe institucionet të cilat ushtrojnë shërbime të caktuara me shfrytëzimin e autorizimeve publike, si p.sh: drejtoria doganore, drejtoria e të hyrave publike, MEPSO, ELEM, organet e pavarura rregullatore, si: Agjensioni i komunikimeve elektronike, Drejtoria e fluturimeve civile, Agjencioni i postave etj. Sa për ilustrim mund ta merrni konkursin e fundit të shpallur vetëm para disa ditëve nga SH.A. MEPSO – Shkup, ku kërkohen nëntë punonjës, në mesin e të cilëve një shef kabineti i cili duhet të ketë arsimim të lartë të mbaruar (240 EKTS) me vetëm dy vite përvojë pune, që do të ketë pagë mujore 45.300 denarë, ose një nëpunës për printimin e dokumentacioneve, i cili me shkollim të mesëm pa përvojë pune do të ketë pagë mujore 24.900 denarë! Këto paga mujore të cilat ofrohen në shembullin e lartshënuar do ua kishin zili nëpunësit administrativ në kuvend, presidencë, qeveri apo ministri. Prandaj, nivelizimi i pagave duhet të sjell edhe uljen e pagës mujore nëse vlerësohet se është kaluar limiti i lejuar. Jam i mendimit që kjo fushë specifike të rregullohet me ligj të veçantë që do të vlejë për tërë sektorin publik, sepse siç theksuam është fushë e parregulluar sa duhet dhe ka pabarazi të shumta në përcaktimin e rrogave. Duhet shfrytëzuar ky moment, kur vendi ndodhet në këtë proces të reformimit të administratës publike dhe shtetërore dhe kjo problematikë të merr fund. Së fundi pagat mujore në sektorin publik nuk mund të rregullohen vetëm me vendime të veçanta, por duhet të rregullohen me ligj, ashtu siç e kanë shumica e shteteve të rajonit dhe ato anëtare në BE-së.