Nevoja për ndryshimin e traktateve të BE-së

87

Libri “Krijimi i Politikës së Jashtme të BE-së: me theks të veçantë ndaj Republikës së Maqedonisë së Veriut” është një libër shumë i rekomanduar që të mbështjell dhe të bën të mendosh. Analiza të thella, fakte dhe argumente interesante si dhe propozime unike, dhe përskaj kësaj, libri është i lehtë për tu kuptuar

Nga Agron KURTISHI

Libri i Autorit Enver Abdullahi paraqet një analizë të jashtëzakonshme .Ky libër përqendrohet në politikën e jashtme të Bashkimit Europian me trajtimin e marrëdhënieve të BE-së me Republikën e Maqedonisë së Veriut. Autori duke përdorur një literaturë të begatshme bën përshkrimin e paraqitjes së Bashkimit Europian, idetë fillestare për një bashkëpunim në rrafshin ekonomik duke nënvizuar edhe aspiratat në politikën e jashtme të bashkësisë europiane. Duke analizuar ambientin e përgjithshëm në europën e pasluftës së dytë botërore si dhe raportet në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe paraqitje e botës bipolare (Lindje/Perëndim).

Autori (Enver Abdullahi) trajton të gjitha qasjet teorike dhe metodologjike në literaturën ekzistuese që merren me çështjen e politikës së jashtme duke konkluduar se nuk ekziston një megateori për të studiuar marrëdhëniet e shteteve aspirante dhe BE-së por shfaq dilemën akademike për nevojën e paraqitjes së një gjëje gjithëpërfshirëse dhe kronologjike në raportet e BE-së me shtetet aspirante nga njëra anë dhe zhvillimi historik i politikës së jashtme të BE-së nga ana tjetër. (fq. 37)

Libri është i ndarë në nëntë kapituj dhe në kapituj të veçantë për të shpjeguar dhe për të analizuar tentativat në nivel europian për politikë të jashtme të suksesshme ndaj shteteve aspirante me theks të posaçëm ndaj Republikës së Maqedonisë së Veriut. Qartazi e vendos në spikamë nevojën për ndërrime në traktatet e shumta të BE-së për të arritur qëllimin e efikasitetit në politikën e jashtme që është unike në formë dhe në përmbajtje. (Traktati për BEE1992-traktati Mastrihtit, Kushtetuta e BE-së ,Traktati Lisbonës) fq. 187-222

Duke përshkruar etapat e ndryshme që pëson politika e jashtme në kërkim të koherencës inter-institucionale dhe intra-institucionale në kapitullin e gjashtë, autori vazhdon me qasjet rajonale të BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor e me theks të veçantë ndaj Maqedonisë së Veriut, duke shpjeguar në detaje aktorët e politikbërjes në nivel europian, procedurat dhe mekanizmat në dispozicion që i posedojnë të gjithë aktorët e politikës së jashtme të BE-së. Dhe pjesa e fundit e hulumtimit ofron një përgjigje se sa e suksesshme ka qenë politika e jashtme europiane, me anë të angazhimit dhe mësimeve që ka mësuar nga qasja e saj jo dhe aq e suksesshme ndaj shpërbërjes së ish federatës Jugosllave, duke krijuar një moment të ri për të provuar politikën e saj të jashtme koherente ndaj Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke përdorur të gjitha instrumentet (pozicionet e përbashkëta dhe veprimet e përbashkëta dhe më në fund përmes strategjisë së përbashkët).

Në pjesën ‘Përfundime dhe hulumtime të mëtejshme në këtë fushë të BE-së’, autori përpiqet dhe në mënyrë të suksesshme të përmbledhë arritjet përmes vlerësimit të politikës së jashtme të BE-së ndaj Republikës së Maqedonisë Veriore, me qëllim që të kontribuojë në sqarimin e dilemave teorike si dhe debateve akademike për rolin e BE-së në skenën ndërkombëtare. Libri “Krijimi i Politikës së Jashtme të BE-së: me theks të veçantë ndaj Republikës së Maqedonisë së Veriut” është një libër i mirëseardhur për të gjithë studentët e studimeve europiane, ballkanike dhe euroaziatike, por pse jo edhe për të gjithë të interesuarit në politikat e BE-së. Stili i qartë i të shkruarit dhe renditja kronologjike e zhvillimit të politikës së jashtme të BE-së duke patur parasysh zhvillimet në Ballkanin Perëndimor dhe referimi permanent ndaj problemeve në Maqedoninë Veriore e bën librin të lexueshëm edhe për publikun e gjerë.

Statistikat e renditura në librin në fjalë vijnë nga burime të besueshme dhe, aty ku interpretohen, janë absolutisht të kuptueshme. Argumentimi është i menduar dhe strukturuar logjikisht, pasi tezat themelore për krijimin i Politikës së Jashtme të BE-së me theks të veçantë ndaj Republikës së Maqedonisë Veriore trajtohen gjatë gjithë kohës në mënyrë shumë profesionale. Me librin “Krijimi i Politikës së Jashtme të BE-së: me theks të veçantë ndaj Republikës së Maqedonisë Veriore” Autori Enver Abdullahi ka krijuar një fillim emocionues për një seri librash. Ideja e Krijimit të Politikës së Jashtme të BE-së nuk është e re, por autori e ka dizajnuar atë në një mënyrë shumë krijuese dhe të larmishme. Prandaj mund të rekomandoj këtë libër për të gjithë lexuesit që pëlqejnë dhe merren në mënyrë profesionale me Politikat e BE-së por gjithsesi libri i rekomandohet secilit person në Maqedoninë e Veriut që është kurreshtar për aderimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian, por edhe të interesuar nga rajoni.

Libri mund të përdoret si një koleksion kompakt politik, prandaj unë do t’ua rekomandoja studentëve të rinj si një burim referimi i jashtëzakonshëm në temën e politikologjisë. Libri në fjalë është një libër shumë i rekomanduar që të mbështjell dhe të bën të mendosh. Analiza të thella, fakte dhe argumente interesante si dhe propozime unike, dhe përskaj kësaj, libri është i lehtë për tu kuptuar. Autori Enver Abdullahi tregon aftësinë e tij taktike për të ndërtuar një argument dhe për ta mbrojtur atë me shkathtësi. Duke përfshirë deklaratat dhe konkluzionet që rezultojnë, është vështirë e mundur të hedhësh poshtë argumentin që ai nxjerr. Kjo tregon se autori i librit është një njohës i fortë i çështjeve politike në vend, por edhe më gjerë. (koha.mk)