Ish-mbrojtësi i Manchester Unitedit, Gary Neville, beson se lojtarët duhet të reagojnë vetë kundër racizmit duke i braktisur ndeshjet, pasi që organet qeverisëse të futbollit nuk janë duke bërë mjaftueshëm për ta luftuar këtë dukuri.
UEFA ka marrë kritika të mëdha gjatë 24 orëve të fundit për shkak të ndëshkimit që ia shqiptoi Bullgarisë pas thirrjeve raciste në drejtim të lojtarëve me ngjyrë në Kombëtaren e Anglisë, gjatë ndeshjes kualifikuese për EURO 2020, në tetor, transmeton Gazeta Express, përcjellë gazeta Koha. Bullgaria është gjobitur me 75 mijë euro dhe dy ndeshje do t’i zhvillojë pa tifozë në stadium. Ky ndëshkim është vlerësuar si jo mjaftueshëm i ashpër nga lojtarët, tifozët, analistët dhe organizatat kundër diskriminimit.
“Është e qartë që FIFA edhe UEFA, dhe ju mund të thoni se edhe vetë Federata e Futboll e Anglisë, nuk ia kanë qëlluar plotësisht kur është në fjalë ndëshkimi për incidentet raciste”, ka thënë Neville.
“Nëse ti fillon t’i gjobitësh vendet me miliona funte, atëherë ato vende do të tentonin të bënin gjithçka të mundur për të mos përjetuar asi lloj incidentesh. Duhet të ketë ndëshkim të vërejtshëm për të gjithë ata që bëjnë veprime raciste. Çdo veprim racist duhet të ndëshkohet ashpër. 65 mijë funte dhe dy ndeshje pa tifozë nuk mund të kenë ndikim të madh. Unë personalisht tani kam arritur në një pikë që po e mbështes iniciativën që lojtarët ta braktisin ndeshjen në këto raste. Njerëzit do të thonë se kjo do të ishte e rrezikshme, por realiteti është se ndryshimet më të mëdha në histori kanë ardhur nga individët e guximshëm. UEFA nuk po bën mjaftueshëm. Nuk mendoj se vendet duhet të eliminohen nga ndonjë garë, por mendoj se ato duhet të gjobiten, deklaroi Neville.