Neutraliteti është një pozicion parimor, jo për t’i ikur debatit ose të vërtetës, por në respekt të një të drejte universale që duhet ta gëzojnë të gjithë njerëzit e botës, edhe sikur të mos e kenë përherë drejtë
Nga Daut DAUTI
Të paska përmendur Filan Fisteku në një shkrim, më thotë djali. Qoftë për hajr, i them, për të mire a për të keq më ka përmendur? Po, si të them, jo për të mirë! Hajrli qoftë, nëse kam gabuar diçka, le ta kem merituar qortimin publik. Më bëni kureshtar të shoh çfarë mëkati paskam bërë dhe në ç’kontekst më ka vënë. Personin e njihja si një nga eksponentët e rrallë të identitetit bullgar në Maqedoni, veçanërisht “i aktivizuar” dhe tepër intensivisht, kohëve të fundit. Nëse deri tash, ai ose ndonjë pjesëtar i kombësisë bullgare, ishin (vet)përmbajtur që të dilnin publikisht për të shprehur ç’u flen në zemër, tash, pas marrëveshjes me Bullgarinë për fqinjësi të mirë, sikur kanë marrë krahë të shprehin gjithë atë që u kanë pasur në zemër e kanë pasur frikë ta shprehin.
Një person i tillë si Viktor K., (çdo aluzion me personazhin e Kafkës Jozef K.-në është i panevojshëm), duhet përkrahur në kauzën e tij, sepse bie në korpusin e të drejtave të njeriut. Nëse ai është ndier me vite nën presion të shtetit, duhet inkurajuar që të ndihet i lire për të shprehur identitetin e tij. Fakti që më kishte përmendur nuk më habiti shumë, sepse unë atë e kisha përmendur kohë më parë si “një personalitet kontrovers që i vë në siklet historianët maqedonas”. Ai e ka njohur veten në atë frazë, sepse është kollaj ta njohësh veten, ngase disa media, kur kishin nevojë të merrnin ndonjë intelektual që do të fliste për relacionet bullgare-maqedonase, e merrnin pikërisht atë. Nëse më ka lexuar me kujdes, atë përmendje indirekte, duhej ta ketë kuptuar si kompliment. Ndërkaq nuk është gjithçka te argumenti, diçka varet edhe nga temperamenti, kurse ai pikërisht është i tillë, luftarak, i pakompromis gjer në kontraversitet. Ka dhe një histori të kaluar kontraversiteti, gjyqi (ai sigurisht e trajton si gjyq politik) e ka dënuar para nja 10-15 vitesh për sjellje të pahijshme në publik(nuk dua të përshkruaj veprën për të cilën është dyshuar, për të ruajtur korrektësinë e komunikimit, por dhe le t’i besojmë në fjalë se këtë ia kanë kurdisur!).
Duke na përmendur ne disa shqiptarëve që kemi pasur shkrime në temën që atij i dhemb më së shumti, dhe duke na quajtur “ shqiptarë të ndershëm”, sigurisht nga ka sikletosur pak. Marrë në përgjithësi, duket qartë se autori i ka përzier lëmshet dhe ka huqur qëllimin e qëndrimeve të tij. Në anën tjetër, ka hapur dilemën që është përtej kontraversitetit të personalitetit të tij, dhe e mira, që na nxit të mendojmë edhe një herë që të rishqyrtojmë ndoshta pozicionet. Kjo dilemë është rreth asaj se çfarë duhet të jetë pozicioni i intelektualëve shqiptarë kundrejt identitetit maqedonas, a duhet të jetë neutral apo duhet të jetë arbitrar, që do të thotë, të mbash anën e njërës palë. Fakti që Viktorit i janë dukur se qëndrimet e mia dhe të disa shqiptarëve tjerë që na ka përmendur janë pro-maqedonase, na kishte bërë “shqiptarë të ndershëm”.
U hamenda të përgjigjem ose jo atje ku e kishte shprehur qëndrimin ai, në maktel.mk , m’u duk se nuk ia vlen, siç thonë shpesh njerëzit kur ke të bësh me qëndrime që dalin jashtë ndonjë kornize logjike. Por, meqë shkrimet e gazetës Koha tash përkthehen edhe maqedonisht, shpresoj që Viktori ta lexojë këtë shkrim, që të mos bëj dy herë punë.
“Është tragjike heshtja e shqiptarëve në debatin me Bullgarinë, sikur u përgjigjet që maqedonasit të mbeten pro-serbë, që t’i mundin më lehtë”, është një nga tezat e sublimuara të Viktorit. Sëpari, nuk është e vërtetë se shqiptarët kanë heshtur, të paktën jo autori që e ka përmendur në intervistën e tij. Dhe aq më tepër, se ka ndonjë shqiptar nga ata që mendojnë, se maqedonasit duhet të jenë pro-serbë. E dyta, në tekstet që me vite kam shkruar, sidomos në shtypin maqedonas, një nga qëllimet e mia ka qenë që sadopak të ndikoj që vetëdija e maqedonasit të indoktrinuar, të çlirohet nga ndikimet serbe. Sidomos me qëllim të flakjes së tezave serbe kundrejt shqiptarëve tek disa shkrues të historisë. E treta, debatet shkencore asnjëherë nuk mbyllen… Prandaj, një e pavërtetë e hedhur shkujdesshëm nga ky autor, vetëm e shton kontraversitetin për qëndrimet që i plason dhe konstruktin vetëdijësor. Gjithçka që s’është si thotë ai, menjëherë është contra. Duke përmendur 7-8 emra shqiptarësh, ai demanton vetveten, domethënë paska të tillë që nuk heshtin! Si duket, atij më së shumti i dhemb jo pse heshtin, por kur flasin ose veprojnë.
Pikërisht në kuadër të debatit me Bullgarinë që e përmend ai, unë kam pasur një seri shkrimesh, të cilat kanë qenë në pozita të sqarimit të aspekteve sociokulturore e historike të krijimit të popujve, duke u nisur pikërisht nga shembulli i maqedonasve. Sigurisht se nuk do t’i ketë pëlqyer teza se popujt krijohen në bazë të rrethanave historike, ndonjë më herët ose më vonë, dhe se shembujt e disa popujve fqinjë, si serbët, kroatët, malazezët, boshnjakët, maqedonasit, serbët, mund të kenë origjinë të përbashkët në të kaluarën, por rrethanat sot i kanë diferencuar në identitete të ndryshme. Kam përmendur se populli maqedonas tashmë ka fituar identitetin e dallueshëm nga popujt tjerë me të cilët ka origjinë të përbashkët dhe gjuhë të ngjashme(bullgare, serbe, kroate…) dhe se këtu kthim mbrapa nuk ka.
Viktori kërkon nga shqiptarët të distancohen nga “maqedonizmi jugosllav”, më saktë, të ndërhyjnë në vetëdijen e 1.3 milionë njerëzve që e ndjejnë veten maqedonas dhe me këtë, për qejf të tij, t’u mohohet e drejta e ndjenjës dhe vetëdeklarimit. Nëse Viktori kërkon për vete të deklarohet si bullgar në Maqedoni, kërkon prej shqiptarëve t’ua mohojë këtë të drejtë elementare të të drejtave të njeriut dhe të drejtën kushtetuese, të tjerëve! S’ka si të dëshmosh kontraversitetin tënd ndryshe, pos me kërkesa të këtilla të pashembullta. Gjersa ai sillet si dikush që i ka faj e gjithë bota, mua më kujtohet një episod i kaluar ku kisha mbajtur anën e të drejtës së deklarimit dhe organizimit të një organizate të bullgarëve të Maqedonisë. Kisha qenë njëri nga anëtarët e bordit të Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Maqedonia që kishim mbrojtur të drejtën e regjistrimit të “Radko-os”, një organizatë, e cila në skenë mbahet mend për një skandal te “Holidej-in”, kur e kishin sulmuar fizikisht gazetarin e ndjerë të “Nova Makedonija-s”, Spase Shuplinovski , si provokator. Me gjithë këtë skandal, Komiteti i Helsinkit u pozicionua kundër mosregjistrimit të kësaj organizate, bile e mbrojti gjer në Strazburg. Pse, sepse, nuk kishte si të ndalohet një shoqatë për shkak të përkatësisë së anëtarëve të vet. Do të ishte çështje tjetër nëse veprimtaria e saj do të ishte kundër rendit.
Dilema në këtë qasje është ajo që e ka hapur në mënyrë jo aq korrekte Viktor K. Për vete nuk kam dilemë as se a duhet të thuhet e vërteta apo të heshtet. Por, në një intervistë për gazetën “Utrinski vesnik” kisha thënë se maqedonasit nuk duhet të presin që ndasitë dhe mosmarrëveshjet intraetnike t’ua zgjidhin shqiptarët. Ky qëndrim mund të zgjerohet edhe në kontestet midis popujve të tjerë, ku shqiptarët duhet ta ruajnë neutralitetin dhe ekudistancën, që ata vetë t’i zgjidhin mosmarrëveshjet apo kontestet e tyre. A mund shqiptarët të lëshohen në debate se nuk ekzistojnë boshnjakët, maqedonasit dhe malazezët… pasi këtë e thotë ndonjë Sheshel, Emir Kusturica, apo Viktor Kanzurov, kur ke miliona pjesëtarë të këtyre popujve që ndjehen si të tillë? Fundja, a nuk është në kundërshtim me të gjitha ato dokumente ndërkombëtare që garantojnë të drejtën e vetëdeklarimit?
Prandaj dhe më erdhi paksa e çuditshme intervista e këtij bullgari nga Maqedonia, të drejtën e të cilit askush nuk duhet t’ia mohojë, por as ai, nuk duhet t’ua mohojë të tjerëve. Neutraliteti është një pozicion parimor, jo për t’i ikur debatit ose të vërtetës, por në respekt të një të drejte universale që duhet ta gëzojnë të gjithë njerëzit e botës, edhe sikur të mos e kenë përherë drejtë.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)