Është një nga tre futbollistët e mbijetuar të tragjedisë ajrore të Kolumbisë ku u shua pjesa më e madhe e skuadrës braziliane të Chapecoense. Bëhet fjalë për mbrojtësin 24-vjeçar Neto, i cili doli nga gjendja komes disa ditë pas aksidentit fatal në kodrat e qytetit kolumbian të Medellin ku skuadra braziliane do të luante ndeshjen e parë të finales së Kupës së Amerikës së Jugut ndaj Atletico Nacional. Momente delikate për mjekët dhe të afërmit e tij menjëherë pas zgjimit nga gjumi i gjatë pasi pyetja e parë e futbollistit lidhej me finalen që nuk u luajt asnjëherë. “Si shkoi ndeshja”, pyeti Neto pak çaste pasi u përmend plotësisht. Mjekët morën një vendim ndoshta drastik, për t’i treguar gjithë të vërtetën. Edhe pse të gjithë presin të mësojnë reagimin e lojtarit, askush nuk jep informacione për mënyrën sesi ai e përjetoi lajmin tragjik. “Me shumë mundësi, kur ta shikojë të arsyeshme ai do të flasë vetë”, thekson mjeku i skuadrës që shton gjithashtu: “Një ditë përpara se të nisej kishte parë një ëndërr sikur avioni u rrëzua dhe ia rrëfeu bashkëshortes. Ai kërkoi që të mos udhëtonte për këtë shkak dhe tani jemi në situatën që aksidenti ndodhi realisht. Tani mendon vetëm për këtë gjë sepse ankthi u bë realitet”. Në fund, mjeku i skuadrës shpjegon se kishte ardhur momenti që pas zgjiit nga koma, Neto të mësonte gjithë të vërtetën dhe në prani të psikologut ai mësoi gjithë rrjedhën e ngjarjeve.