Përfaqësuesja e Forumit të grave të LSDM-së, Magdalena Nestorovska në konferencën e sotme për shtyp tha se duhet urgjentisht të mundësohet zgjedhja e qeverisë së re reformuese, e cila do t’i mbrojë të gjithë qytetarët, mes tyre edhe gratë punëtorë nga tendencat për shkelje të mëdha të të drejtave të njeriut.
“Derisa deputetët e VMRO-DPMNE-së për shpëtim të udhëheqësisë së partisë i frenojnë proceset demokratike me bllokadë të Parlamentit, mijëra punëtorë dhe punëtore çdo ditë përballen me mobing, shantazhe, kërcënime, kushte katastrofale për punë. Dhe nuk mund të kërkojnë ndihmë sepse sistemi është i bllokuar”, tha Nestorovska.
Po qe se Maqedonia do të kishte shtet funksional, e jo siç tha, të bllokuar, sot organet kompetente nuk do të toleronin gra shtatzëna të punonin në turn të natës. Qeveria e re reformuese, siç tha Nestorovska, do ta rrisë numrin e inspektorëve të punës dhe inspektorëve për siguri dhe shëndet gjatë punës.