Në libër thuhet edhe se ka më tepër votues se sa banorë dhe jepen dëshmi përkatëse, thuhet se rajoni i Pollogut prodhon shumë pak dhe ne as së afërmi nuk i plotësojmë nevojat tona në prodhim”, theksoi Nesimi.
Urim HASIPI
Tetovë, 12 qershor – Është promovuar në Universitetin e Evropës Juglindore libri me titull “Shqiptarët e Maqedonisë dhe Ardhmëria e Shtetit” të autorit Mahi Nesimi. Libri përmban shumë tema që kanë qenë aktuale, por edhe që janë, ndërsa po ashtu flet edhe për temat se si shtetit duhet që në të ardhmen të funksionojë. Ai tha se shqiptarëve modeli zgjedhor me një njësi zgjedhore nuk u konvenon. “Shqiptarëve nuk u konvenon një njësi zgjedhore, aty në librin tim janë përpunuar rezultatet që mund të prodhohen duke filluar nga viti 1998 e këndej, janë të pasqyruara nga tabela konkrete duke analizuar një njësi zgjedhore edhe në tre njësi zgjedhore, të gjitha janë të vendosura në tabela dhe një njësi shqiptarëve nuk u konvenon, kurse tre njësi është pikëpyetje a u konvenon”, deklaroi ai. Sipas autorit të librit, ndarja territoriale ka qenë problematike për maqedonasit, të cilët e kanë kundërshtuar, kurse po ashtu në mënyrë tabelore dhe statistikore janë dhënë edhe të dhënat për modelet më të përshtatshme zgjedhore. Sipas Nesimit, modeli zgjedhor me një njësi zgjedhore nuk është i përshtatshëm për shqiptarët, kurse modeli me tre njësi zgjedhore sërish është në pikëpyetje se a u konvenon shqiptarëve. “Pavarësisht se si do të zhvillohet regjistrimi, unë kam shfaq mendimin tim se regjistrimi do të problematizohet përsëri, dhe do të politizohet nga pala maqedonase për shkak të frikës nga zvogëlimi i përqindjes së popullatës maqedone”, theksoi Nesimi.
Sipas tij, temat janë të ndara në 14 kaptina. “Libri flet për zhvillimet e përgjithshme duke filluar nga viti 1990 ku shpesh herë duke u kthyer prapa, ka tema që asnjëherë nuk janë përpunuar. Libri ka 14 kaptina, janë tema në vete çdonjëra, shfaqen mendimet e mia lidhur me mundësinë e kantonizimit të Maqedonisë, mundësinë e ndarjes së Maqedonisë, elaborohen ligjet për përdorimin e gjuhës duke përfshirë edhe këtë të fundit, jepet një pasqyrë e asaj se çka paraqet ‘Shkupi 2014’. Në libër thuhet edhe se ka më tepër votues se sa banorë dhe jepen dëshmi përkatëse, thuhet se rajoni i Pollogut prodhon shumë pak dhe ne as së afërmi nuk i plotësojmë nevojat tona në prodhim”, theksoi Nesimi.
Në ndërkohë, recenzenti i librit, Jeton Shasivari thotë se libri është faktografik dhe me plot të dhëna që u nevojiten studiuesve dhe atyre që merren me politikë. Shasivari tha se ky libër i trajton disa çështje për herë të parë në gjuhën shqipe, edhe atë shumë objektivisht. “Themi si revolucionar, në cilësinë e recensuesve, jo vetëm për Maqedoninë e Veriut por për tërë rajonin për herë të parë në gjuhën shqipe trajtohen mjaft objektivisht pa doreza, pa droje disa nga temat që janë të ndaluara edhe për vetë politikbërësit”, deklaroi Shasivari.
Ai tha se e veçanta e këtij libri është se autori i jep vlerësimet e veta, i paraqet problematikat, i paraqet pikëpamjet e ndryshme dhe në fund paraqet zgjidhje konkrete për secilën problematikë. Ai theksoi se zgjidhjet e paraqitura nga autori mund të shërbejnë edhe për politikbërësit por edhe për ata që merren me studime të politikës, por edhe të shkencave juridike, ekonomike.
Në ndërkohë, rektori I UEJL-së Abdylmenaf Bexheti, u shpreh se autor ka se çka të thotë sepse ka qenë protagonist dhe vrojtues i ngjarjeve të shumta politike të organizimit politik të shqiptarëve. Ky është libri i pestë me radhë i ish ambasadorit dhe ish gazetarit, Mahi Nesimi.