Kopjimi i gjestit të Diego Simeone nga Cristiano Ronaldo do të marrë vëmendjen e duhur të enjten, ditë në të cilën pritet që UEFA të japë vendimin për atë veprim që sulmuesi i Juventus bëri në “Allianz Stadium” në ndeshjen e kthimit ndaj Atletico Madrid.
Për këtë gjest të ngjashëm, trajneri i skuadrës spanjolle u gjobit me 20 mijë euro.
UEFA ka hapur hetim ndaj CR7 sepse me veprimin në fushë ka thyer rregullin 11, i cili i lejon gjykatësit të marrin një masë ndaj lojtarit, ndërsa rregulli 15 i shkelur nga portugezi do të thotë direkt dënim me skualifikim .
Në pikën 1a të rregullit 15 specifikohet veprimi “provokim i tifozëve”, që nënkupton një ndeshje pezullim, por atë që bëri Ronaldo e kanë cilësuar si “gjest të shëmtuar” dhe nuk merr masën e një dënimi eventual.
Për këtë mendohet se zgjidhja do të jetë si ndaj Simeone, ndëshkim me një gjobë financiare dhe Ronaldo do jetë në fushë në sfidën ndaj Ajax.