Shkup, 26 shkurt – Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti ka paralajmëruar se nesër do të takohet me kryeministrin dhe liderin e LSDM-së Zoran Zaev me të cilin do të bisedojë për kandidatin e përbashkët konsensual si dhe situatën politike.
Pas takimit sonte në selinë e partisë në Shkup me shefin e diplomacisë shqiptare Gent Cakaj, Ahmeti ka shprehur bindjen se do të gjejnë zgjidhje për kandidat të përbashkët konsensual, raporton gazeta KOHA.
Ai ka thënë se nuk ka problem në funksionimin e koalicionit qeveritar, duke komentuar pastaj deklaratën e nënkryetarit të LSDM-së dhe deputetit, Muhamed Zeqiri se është e mundur qeveri pa BDI-në.
“Ju siguroj se nuk ka përçarje mes partnerëve të koalicionit. E mundur është të ekzistojnë dallime për çështje të caktuara që nuk e cenojnë integritetin ose moralin e BDI-së ose LSDM-së. Vendi ka nevojë për më shumë paqe, komunikim dhe bashkëveprim mes forcave politike në pushtet dhe opozitës. As opozita nuk mund të përjashtohet nga këto procese të rëndësishme. Nëse mund të ketë qeveri pa BDI-në do thoja se bëhet gabim i madh, por ajo mund të jetë deklaratë e një anëtari ose funksionari të LSDM-së i cili nuk ka përgjegjësi për misionin e madh historik që e ka Republika e Maqedonisë së Veriut. Unë në këtë situatë kam përgjegjësi para qytetarëve të Maqedonisë qoftë të jenë shqiptar, maqedonas, turq, romë, serb, vllah dhe në këtë rast nuk shërbehem me emocione politike për politikë ditore, për rejting etj. Unë jam për politikë kombëtare e cila është në interes të të gjithë qytetarëve”, ka thënë Ahmeti.(koha.mk)