Bruksel, 24 shkurt – Shefat e shteteve dhe qeverive të BE-së, nesër dhe pasnesër do të mbajnë samit të ri për gjendjen me koronavirusin në Evropë, do të bisedohet mes tjerash për vaksinimin dhe për certifikatat për Kovid-19 për udhëtim, njofton korrespondentja e MIA-s nga Brukseli.
Liderët e BE-së takohen pothuaj çdo muaj prej se filloi kriza me Kovid-19 që të tentojnë të vendosin koordinim më të mirë të ndërsjellë lidhur me lirinë e lëvizjes, vaksinimin dhe përgaditjet e lehtësimit të restriksioneve në pranverë dhe në verë.
Takimi do të jetë përmes video-konferencës.
Të enjten, liderët do të bisedojnë për gjendjen epidemiologjike në vendet e tyre dhe do të debatojnë për masat të cilat i kanë miratuar. Komisioni evropian tanimë ka shprehur pakënaqësi me disa nga masat në vendet anëtare, si mbyllja e kufijve, dhe diplomatët presin debate më të ashpëra edhe në samitin e nesërm në këtë temë.
Në fund të takimit pritet që shefat e shteteve dhe qeverive të dërgojnë paralajmërim të ri deri te kompanitë farmaceutike për respektimin e obligimeve të ndërmarra për dërgesë të vaksinave deri te vendet anëtare të BE-së dhe kërkesë që të përshpejtohet prodhimi. Do të bëhet fjalë edhe për solidaritetin me vendet e treta.
Vendet anëtare janë të brengosura për variacionet e virusit dhe aftësisë së vaksinave që të adaptohen në llojet e reja që po paraqiten, për të cilin shkak para disa ditëve është hapur një inkubator i ri shëndetësor, HERA, i cili ka për qëllim që t’i parashikojë dhe t’u përgjigjet mutacioneve.
Vendet anëtare nesër do të debatojnë edhe në këtë temë.
Diplomatët në BE informojnë se në rend të ditës është edhe diskutimi për certifikatat për të vaksinuarit kundër Kovid-19, të cilat i përmendin disa vende anëtare, që të lehtësohen udhëtimet, posaçërisht në sezonin e verës. Por, deri në këtë moment, në Bruksel është vlerësimi se nuk ka mjaftë informata që të miratohet vendim në këtë temë.
Është e paqartë, për shembull, nëse personi i vaksinuar ende e bartë dhe mund ta transmetojë virusin. Të premten liderëve do t’u bashkangjitet sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, për diskutim rreth raporteve BE-NATO dhe për forcimin e politikës mbrojtëse të BE-së.