Në këtë projekt janë angazhuar 16 profesorë të gjuhës nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Kosova, të cilët me 64 pjesëmarrës nga institucione të ndryshme do të trajtojnë shumë probleme praktike të përdorimit të gjuhëve në sektorin publik
Shkup, 4 prill – Nga nesër (e hënë), Agjencia e Zbatimit të Gjuhës nis trajnimin dymujor të lektorëve dhe përkthyesve të angazhuar në administratën shtetërore. Në hapjen solemne të këtij aktiviteti, në hapësirat e agjencisë, do të marrin pjesë, zëvendëskryetari i Qeverisë, Artan Grubi, ministrja e Kulturës, Irena Stefovska zëvendëssekretari i Qeverisë, Tahir Hani, dhe drejtori i Agjencisë, Ylber Sela. Trajnimet do të mbahen me ligjërata dhe ushtrime praktike 3+3 brenda një dite. Për realizimin e programit të ngjeshur të trajnimeve, ku marrin pjesë 64 përkthyes dhe lektorë, agjencia ka angazhuar 16 profesorë të gjuhës nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Kosova.
Gjatë trajnimit do të trajtohen problemet e shumta praktike të zbatimit të gjuhëve në të gjithë sektorin publik, siç janë krahasimet midis gramatikave të shqipes dhe maqedonishtes, çështjet drejtshkrimore, terminologjike, leksikore, semantike, teknologjitë e përkthimit në fusha të ndryshme, etj. “Të gjitha problemet që i kemi identifikuar deri tash nga përvoja e përkthyesve, lektorëve apo hartuesve të shkresave administrative, do të trajtohen nga ligjëruesit që ka angazhuar AZGJ-ja, prandaj janë përfshirë dhe paraparë të gjitha rrafshet dhe segmentet në të cilat duhet të punohet gjatë trajnimit”, thuhet në një njoftim të Agjencisë.
“Meqenëse njëra nga detyrat kryesore të AZGJ-së është të trajnojë përkthyesit dhe lektorët e të gjitha institucioneve të vendit, duke bërë politikat gjuhësore dhe duke unifikuar terminologjinë administrative në bashkëpunim me ekspertë të fushës dhe me institucione gjegjëse brenda dhe jashtë vendit dhe duke siguruar dhe furnizuar me fjalë dhe shprehje softuerin e përkthimit për institucionet qendrore, vlerësojmë se ky trajnim do t’u ndihmojë shumë përkthyesve dhe lektorëve në punën e tyre”, thotë drejtori Ylber Sela.
Agjencia e Zbatimit të Gjuhës me këtë trajnim synon të ofrojë ndihmë praktike në zbatimin e Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve, në ruajtjen, promovimin dhe mbrojtjen e gjuhëve zyrtare dhe statusin e tyre të barabartë në RMV. Gjithashtu, mëton që të ndërtojë një mjedis institucional që respekton detyrimet kushtetuese dhe ligjore, që mbron, promovon, ruan dhe zbaton të drejtën gjuhësore të të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Trajnimet planifikohen të jenë intensive dhe të ndara në tri etapa, kurse etapa e parë mbahet në periudhën 5 prill-2 qershor. Pas mbarimit të secilës etapë, përkthyesit dhe lektorët do të pajisen me certifikatat e niveleve përkatëse. (koha.mk)