Qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë nesër do të mbajnë mbledhje të përbashkët, në të cilën pritet nënshkrimi i marrëveshjeve të reja mes shteteve dhe shqyrtimi i mundësive për avancimin e atyre të cilat tashmë janë arritur.
Kjo mbledhje e përbashkët, e teta me radhë e dy qeverive, këtë herë do të mbahet në kryeqytetin e Kosovës, ndërsa para fillimit të saj, të caktuar për në orën 11.15 në hotelin “Garden”, do të ketë një takim të shkurtë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe homologut të tij nga Shqipëria, Edi Rama.
Sipas agjendës të cilën e publikoi sot kabineti i Kurtit, pas përfundimit të mbledhjes, e cila do të transmetohet drejtpërdrejt, dy kryeministrat do të kenë konferencë të përbashkët për media.
Në shtatë mbledhjet e deritanishme të përbashkëta janë nënshkruar më shumë se 80 marrëveshje ndërshtetërore, memorandume dhe protokolle për bashkëpunim, sipas mediave vendore, shumica e tyre ende nuk janë realizuar.
Mbledhja e parë e përbashkët u mbajt më 11 janar 2014 në Prizren dhe ishte udhëhequr nga kryetarët e atëhershëm të të dyja qeverive, Hashim Thaçi dhe Edi Rama, të cilët atë ngjarje e vlerësuan si “historike”. Mbledhja e fundit e përbashkët u mbajt në nëntor të vitit të kaluar në qytetin e Elbasanit.