Nesër Gjykata Supreme vendos për rastin “Monstra”

Shkup, 29 maj – Pas më shumë se pesë vjet nga vrasja e pesëfishtë, Gjykata supreme nesër do të vendosë në lidhje me ankesën e mbrojtjes së gjashtë të dyshuarve në rastin “Monstra”, të cilët janë dënuar me burg të përjetshëm për vrasjen e pesëfishtë në afërsi të Liqenit të Smilkovës, shkruan gazeta KOHA. Gjykata supreme ka caktuar mbledhjen 15 muaj që kur mbrojtja ka dërguar ankesë për dënimin e Gjykatës penale dhe të asaj të Apelit. Vrasja afër Liqenit të Smilkovës ka ndodhur më 12 prill të vitit 2012 ku janë vrarë katër të rinj Filip Sllavkovski, Aleksandar Naqevski, Cvetanço Ackovski dhe Kire Trpkovski, si dhe peshkatari Borçe Cvetkovski, ndërsa Gjykata penale në vitin 2014 dënoi gjashtë shqiptarë me burg të përjetshëm, ndërsa dy të dënuarit, ende janë në Kosovë dhe nuk janë të ekstraduar. Një vit më vonë Gjykata e apelit ka vërtetuar dënimin e Gjykatës penale. (koha.mk)