Tetovë, 14 qershor – Të mërkurën në Tetovë do të fillojë edicioni I dhjetë i festivalit të filmit Watch Out dhe do të zgjasë katër ditë. Ky festival ndërkombëtar sipas organizatorëve organizohet nga Qendra LOJA, me mbështetje të Goethe-Institut- Shkup dhe disa segmente të festivalit mbështeten nga Wustrow. Ky edicion i 10-të i festivalit synon të sjellë kulturën më pranë qytetarëve dhe të transformojë shoqërinë përmes magjisë së kinemasë, tha Bujar Luma, drejtor i Qendrës Loja. “Fituesit e këtij edicioni jubilar të festivalit të filmit Watch Out janë, në kategorinë e filmit dokumentar është Pablo de la Chica nga Spanja me filmin e quajtur Mama, pastaj në kategorinë e filmit eksperimental dhe të Animuar është Shakila Samavati nga Irani me filmin DOLL STORY, dhe filmi me metrazh të shkurtër është Nuria Munoz-Ortín & Eva Libertad nga Spanja me filmin SORDA. Të gjithë filmat do të shfaqen në versionin origjinal me përkthim në gjuhën angleze”, tha drejtori Bujar Luma. Sipas tij, ky festival për 10 vjet sjellë shpresë, optimizëm, kurajo dhe ringjall vendet e braktisura të Tetovës. Festivali i këtij viti do ta kthejë LOJA-n tek rrënjët e saj duke krijuar një hapësirë kreative e të mbrojtur publike nga trazirat që ndodhin përreth . Për këtë edicion kanë arritur 564 filma nga 59 vende dhe 6 kontinente. Luma tha se numri i filmave të pranuar i lejoi grupit përzgjedhës dhe jurisë të krijonin një program shumë të larmishëm dhe ne kemi kënaqësinë të dëshmojmë se ky festival është kthyer në një festë të kinematografisë dhe në një pikë referimi për autorët e filmit dhe filmdashësit. Projeksionet e filmave do të jenë gjatë një periudhe 4 ditore në orën 20:00 në Amfiteatrin përpara Muzeut të Partisë Komuniste në Tetovë. (U.H)