Nesër fillojnë zgjedhjet për Parlamentin Europian në Britaninë e Madhe

Zgjedhjet për parlamentin europian do të fillojnë nesër në Britaninë e Madhe dhe do të vijojnë deri më datë 26 maj kur do të ketë përfunduar procesi në të gjitha vendet anëtare.

Më shumë se 400 milionë njerëz kanë të drejtën e votës për të zgjedhur drejtpërdrejt 751 deputetë.

Në prag të zgjedhjeve aktivitetet propagandistike janë shtuar. Partitë populiste të ekstremit të djathtë janë ndër fraksionet më aktive. Të shtunën e kaluar, me ftesë të ministrit të Brendshëm të Italisë, njëherësh kreu i Lidhjes së ekstremit të djathtë Lega, Mateo Salvini, pothuajse të gjithë liderët e njohur të partive populiste të së djathtës në BE u mblodhën së bashku në Milano.

Por sot, Italia e cila ka luajtur një rol të rëndësishëm në të kaluarën për BE-në, shihet si një vend ku opozita evropiane ka një mbështetje të madhe nga votuesit. Ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje rezulton të jetë në rënie, përqindja e votave të partive populiste ekstremiste të djathta po rritet.

Në Francë, Macron dhe Le Pen pritet të jenë fituesit e zgjedhjeve. Lista e kandidatëve të Macronit pritet të ketë një pozitë të fortë brenda grupit liberal në Parlamentin Evropian. Në këtë situatë Macron do të luajë një rol të rëndësishëm në koalicionin kundër grupeve populiste të ekstremit të djathtë. Jo vetëm në zgjedhjen e presidentit të Parlamentit Evropian dhe formimin e komisioneve, por edhe për zgjedhjen e presidentit të Komisionit.

Ndërsa, Koalicioni i madh që qeveris Gjermaninë, ai midis kristiandemokratëve, kristiansocialëve dhe socialdemokratëve mund të humbasë shumë në zgjedhje. Ndasitë mes tyre por edhe sondazhet që flasin për humbje, I kanë shtuar tensionet në Gjermani.