Shkup, 10 qershor – Se a do të vendoset dorëheqja e ish kryeministrit dhe deputetit i cili fitoi azil politik në Hungari, Nikolla Gruevski në seancën e nesërme të 103-të do të dihet nesër para fillimit të debatit parlamentar. Ky është informacion zyrtar nga kabineti i kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi, njofton Koha.mk
Pas takimit të sotëm koordinator në të cilin nuk mori pjesë koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së Nikolla Micevski, ishte kumtuar se gjatë ditës së nesërme do të mbahen konsultime shtesë edhe me partinë opozitare, pas çka opinionit do t’i kumtohet se a do të vendoset ose jo dorëheqja në seancën e nesërme .
Në rend dite të seancës së 102-të të caktuar për nesër deri më tani është raporti i Komisionit për Çështje të Rregullores, Mandatit dhe Imunitetit i cili i propozon Kuvendit marrjen e mandatit të Gruevskit për shkak të mungesës së paarsyetuar prej gjashtë muajve. Që të votohet vendimi nevojiten 80 vote, gjegjësisht shumicë prej dy të tretave.
Deputetët e shumicës thonë se në këtë rast duhet të veprohet sipas Rregullores dhe Kushtetutës me të cilat parashihet që deputeti personalisht ta dorëzojë dorëheqjen deri te Kuvendi. Në kontest të njëjtë është edhe deklarata e sotme e zëdhënësit të LSDM-së, Kostadin Kostadinov.
“Nikolla Gruevski nuk bën përjashtim nga të gjithë qytetarët e tjerë të shtetit tonë. Unë bëj thirrje dhe apeloj se Gruevski ka për detyrë që të kthehet në shtetin ku duhet ta vuajë dënimin me burg, gjegjësisht me procedurë të plotfuqishme gjyqësore prej dy viteve dhe derisa ka për qëllim që personalisht ta dorëzojë dorëheqjen në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, tha Kostadinov.
Koordinatori, i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së Nikolla Micevski thotë se nuk ka shkak se pse të mos konstatohet dorëheqja e Gruevskit kur dihet se edhe në të kaluarën ka pasur deputetë të cilët nuk kanë ardhur personalisht në Kuvend që ta arsyetojnë dorëheqjen e tyre. Gjatë kësaj i thekson Nikolla Todorovin, Stevo Pendarovskin, Bilallin, etj.
Micevski thotë se deri tash nuk ka pasur takim me kryetarin e Kuvendit Talat Xhaferin në lidhje me dorëheqjen e Gruevskit dhe seancën e nesërme dhe se nuk kanë se për çfarë të bisedojnë, sepse deputetëve ende nuk iu është dorëzuar dorëheqja që ta shohin.
Nikolla Gruevski u largua në Hungari pas proceseve gjyqësore për çka ka edhe gjykim të plotfuqishëm me burg, kërkoi dhe iu dha azil politik në Hungari. Ky është rasti i parë që një deputet të kërkojë azil politik në shtet anëtar të Bashkimit Evropian dhe deputeti i parë që jep dorëheqje nga funksioni për çka nuk ka vendim dhe interpretim juridik në legjislacionin e Maqedonisë së Veriut. (koha.mk)