Politikani nga Mali i Zi Nebojsha Medojeviq ka thënë sot se territorin e sotëm të Dukagjinit gjatë Luftërave ballkanike e ka çliruar dhe e ka marrë Ushtria malazeze e mbretit Nikollë dhe pastaj ia ka lënë Serbisë, ndërsa Serbia tash dëshiron që Dukagjinin t’ia falë Shqipërisë, atëherë Mali i Zi duhet t’i shtrojë kërkesat e veta, transmeton Koha.net.
“Territorin e Dukagjinit të sotëm gjatë Luftërave ballkanike e ka marrë Ushtria malazeze e mbretit Nikollë. Mbreti atëherë Dukagjinin ia dha vëllait Serbi. Nëse Serbia dëshiron që Dukagjinin t’ia falë Shqipërisë, atëherë është historikisht e drejtë që Mali i Zi ta kërkojë këtë territor. Kufizimi hap procese”, ka shkruar në Twitter Medojeviq, i cili është anëtar i Kryesisë së Fronti demokratik opozitar në Mal të Zi dhe kryetar i Lëvizjes për ndryshime.
Ai, siç përcjell b92, po ashtu ka shkruar se Dukagjini është territor historik për të cilin Ushtria malazeze ka derdhur gjak në luftën kundër Perandorisë otomane.
“E kemi çliruar edhe Shkodrën e cila po ashtu graviton nga Mali i Zi. Nëse Serbia dëshiron që Dukagjin t’ia falë Shqipërisë, Mali i Zi duhet të shtrojë kërkesa”, ka shkruar Medojeviq në Twitter.