Ministri i Ekologjisë, Naser Nuredini në një intervistë për gazetën KOHA theksoi se shumë shpejtë Maqedonia do të ketë laboratorin e saj të akredituar. Nuredini tregoi sa inspektime janë kryer, deri ku është procedura e Fondit ekologjik si dhe çështja e Ohisit. Ai përcolli edhe një mesazh deti tek të rinjtë që të ngrenë zërin për çdo çështje sepse vetëm në këtë mënyrë do të dëgjohen kërkesat e tyre
Bisedoi: Remzije BILALLI
KOHA: Të dhënat nga raporti EUROSAI tregojnë se ndotës më i madh në Maqedoni janë industritë. A keni bërë analiza sa i përket kësaj se kush është ndotësi më i madh në vendin tonë?
NUREDINI: Ekzistojnë disa analiza, të bëra nga organizata të ndryshme ndërkombëtare. Shumica e analizave tregojnë se ngrohja e amvisërive paraqet burimin më të madh të ndotjes, por gjithsesi edhe ky hulumtim do të shqyrtohet. Po, një nga burimet e ndotjes së ajrit është edhe industria, synojmë të bëjmë kontrollin dhe inspektime më të intensifikuara.
KOHA: Sa inspektime janë bërë deri tani, a keni ndonjë shifër ?
NUREDINI: Deri më tani janë bërë mbi 2000 inspektime në gjithë vendin. Ne, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministrinë e Bujqësisë, kemi marrë masa të koordinuara me qëllim të rrisim frekuencën e inspektimeve, dhe besoj që edhe më tutje do vazhdojmë me këtë tempo. Ajo që është bërë deri më tani nuk është e mjaftueshme, duam të rrisim kontrollin në terren edhe më shumë.
KOHA: Sa dënime ka dhënë ky institucion në kohën që kur ju jeni ministër?
NUREDINI: Unë personalisht, pra në detyrë të Ministrit të Mjedisit Jetësor nuk jap dënime, ato i shqipton Institucioni. Nuk e kam shifrën e saktë se sa dënime janë shqiptuar në kohën prej kur unë udhëheq këtë dikaster, por jam i sigurt se ata të cilët e kanë thyer ligjin, në mënyrë të duhur edhe kanë marrë dënimin.
KOHA: Pse në Maqedoni nuk ka laboratorë të akredituar?
NUREDINI: Nuk mundem të përgjigjem në pyetjen pse nuk ka, por mundem të ndaj me ju informatën që jemi në proces e sipër të akreditimit të Laboratorisë Qendrore pranë Ministrisë së Mjedisit. Në pajtim me procedurat ligjore, besoj se deri në fund të muajit Qershor të 2020-ës do të kemi një Laboratori të akredituar në Shkup.
KOHA: Pse lejuat të jetë buxheti kaq i vogël për Ministrin e Ekologjisë kur e dimë se ndotja e ajrit është më e lartë se sa duhet në vendin tonë?
NUREDINI: Nuk bëhet fjalë për atë se kam lejuar unë, ky është vendim i Ministrisë së Financave së bashku me Qeverinë, besoj se të gjithë, si unë ashtu edhe kolegët e mi dëshirojmë një buxhet më të madh. Kemi kërkuar më shumë gjithsesi, por tani këto janë kushtet të cilat na janë ofruar. Së shpejti, besoj se do të kemi një ekstra buxhet për investime në ndërtime të ujësjellësit si dhe pastrimin e ujërave të zeza.
KOHA: Një nga problemet të cilat hasen në Ministrin e Ekologjisë është edhe numri i vogël i kuadrove, gjithashtu ka edhe mungesë të inspektorëve. Si do të ballafaqoheni me këtë problem?
NUREDINI: Ne jemi një shtet në tranzicion. Nga të dhënat që posedoj, jemi në rritje të numrit të inspektorëve, por edhe më tutje do të vazhdojmë të rrisim numrin e kuadrove varësisht nga mundësia që na jep buxheti. Do të mundohem t’i organizoj inspektorët sa më mirë, të jenë në terren sa më shpesh si dhe të kryejnë punën e tyre në përputhje me ligjet në fuqi. Në të ardhmen, normalisht dëshirojmë të kemi numër më të madh të inspektorëve në terren.
KOHA: A keni bashkëpunim me fakultetet të cilat janë adekuate për të punuar në këtë institucion ?
NUREDINI: Ne kemi njerëz mjaft të aftë nuk ka dyshim, shpresoj se kuadrot e reja dhe gjeneratat e reja të cilat do të dalin nga Fakultetet përkatëse do të na bashkëngjiten dhe bashkëpunojnë me ne, dhe jo vetëm në sektorin publik por edhe në atë privat. Dëshiroj që edhe sektori privat të zhvillohet, është një prej qëllimeve kryesore-prioritet të cilat i kam dhe unë. Duhet përkrahur edhe sektorin privat, njerëzit e aftë të kenë mundësinë të punësohen si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat.
KOHA: Qeveria kishte lajmëruar për Fond i cili do të ishte ekstra për ekologji. Deri ku është procesi, pse ky premtim nuk është realizuar dhe çfarë në të ardhmen me këtë premtim?
NUREDINI: Ky ka qenë një premtim nga Qeveria që nga fillimi, ndërsa unë këtu jam vetëm pesë muaj. Edhe unë dëshiroj që ky fond të krijohet nuk ka dyshim, por nuk besoj se do të arrihet deri në fund të këtij mandati, pra deri në Prill. Por, nëse vazhdojmë më tutje me siguri unë do ta kërkoj që fondi i premtuar të krijohet në mandatin e ardhshëm.
KOHA: Deri ku është procedura sa i përket fabrikës së OHIS dhe a mendoni se duhet që qytetarët të ndjehen të sigurt?
NUREDINI: Çështja e Ohisit është e kahmotshme, ekziston që 30 apo 40 vite. Kohën e fundit kemi intensifikuar bashkëpunim me UNOPS-in, kemi shpallur një tender ndërkombëtar me anë të së cilës do të zgjidhet teknologjia më e mirë për të pastruar deponinë e lindanit. Shpresoj që të kemi një numër të konsiderueshëm të aplikantëve ndërkombëtar, të cilët do na përcjellin ekspertizën e duhur për të pastruar deponinë e vogël të Ohisit. Më tutje, kemi qëllim të fillojmë edhe me pastrimin e deponisë së madhe të lindanit në rrethin e Ohisit. Lidhur me çështjen e kemikateve të rrezikshme, të cilat ende janë në rrethin e Ohisit, shpresoj që diku nga mesi i janarit të vitit të ardhshëm do fillohet me eksportin e tyre, që domethënë do të dërgohen jashtë vendit të incinerohen.
KOHA: Sa i përket marshit i cili u organizua nga disa organizata të Maqedonisë, Qeveria doli me deklaratë se pranon kërkesat e tyre. Ju si ministër a do të realizoni takim me përfaqësuesit e këtyre organizatave dhe cilat masa më konkretisht do ti merrni sa i përket ndotjes së ajrit?
NUREDINI: Patjetër që dëshiroj të takohem me ta dhe në realitet më bëhet qejfi që njerëzit kanë vetëdije ndaj çështjeve mjedisore. Sa i përket masave kundër ndotjes së ajrit, kjo për fat të keq nuk është çështje që mund të japë rezultate të menjëhershme, kërkon kohë dhe veprime afatgjate. Duhet të gjejmë zgjidhje për mënyrën e ngrohjes individuale, amvisëritë, duhet të përmirësojmë transportin publik, mënyrën e inspektimit dhe kontrollin e industrisë. Jam dakord me atë që Qeveria ka pranuar kërkesat e Organizatave Joqeveritare, por njëkohësisht dua të theksoj se duhet pasur kujdes në atë se sa na premton koha për ti realizuar kushtet e kërkuara nga ana e tyre që ti realizojmë në mënyrën më të mirë të mundur.
KOHA: Të gjithë të anketuarit e rinj të cilët i kemi anketuar, njëra ndër arsyet kryesore të ikjes së tyre nga vendi ka qenë mjedisi jetësor , pra ndotja e ajrit. Çfarë do i kishe thënë rinis; në këtë aspekt ?
NUREDINI: Bëni zhurmë sa të mundeni, ne do t’ju dëgjojmë shumë mirë, sepse nëse rinia nuk bënë zhurmë kërkesat nuk do të dëgjohen sa duhet dhe aty ku duhet!