Shkup, 2 gusht – Censusi është aspekt kyç për zbatimin e referendumit të suksesshëm për Marrëveshjen e Prespës. Pas pozitës së paqartë të VMRO-DPMNE-së opozitare për prononcimin plebishite, kryeministri Zoran Zaev dje edhe njëherë porositi se është i bindur në plotësimin e censusit, sepse nuk ka alternativë për atë. Megjithatë, në rast se nuk ka census për referendumin e ardhshëm të marrëveshjes për emrin theksoi se vendimin do ta sjellin institucionet.
“Nëse qytetarët nuk sjellin vendim më tutje vazhdojnë institucionet. Nga ai aspekt, nuk paragjykoj se si do të votojë Parlamenti. Të gjithë 120 deputetët mund të votojnë për ose kundër. Ai është proces të cilin duhet ta ndjekim”, tha Zaev, duke shtuar se është i bindur që shumica më e madhe do të votojnë “për”, sepse nuk mund të arrihet marrëveshje më e mirë me Greqinë.
Ai nënvizoi se për referendumin përgjegjësi të barabartë ka ai personalisht si kryeministër, lideri i VMRO-DPMNE-së opozitare Hristijan Mickovski, por edhe të gjithë qytetarët.
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) duhet ta zbatojë referendumin të caktuar për më 30 shtator, dje në seancën e parë konstituive në përbërje të re e miratoi Rregulloren për përgatitjen, organizimin dhe zbatimin e tij.
Me Rregulloren është paraparë që në referendum të kenë të drejtë prononcimi edhe qytetarët të cilët janë në Listën zgjedhore, ndërsa nuk jetojnë në Republikën e Maqedonisë, përkatësisht diasporë.
Partitë politike do të përjashtohen nga ky proces i organizimit të referendumit. Procesi i prononcimit të qytetarëve do të mund të vëzhgohet vetëm nga organizatat joqeveritare qytetare.
Ushtruesi i detyrës zëvendës-ndihmës sekretari shtetëror në Departamentin e Shtetit amerikan për Evropë dhe Euroazi, Metju Palmer i cili është për vizitë treditore në Maqedoni, pas takimit me kryeministrin Zaev, mbrëmë theksoi se Maqedonia tashmë mori ftesë nga ana e NATO-s dhe rrugë e qartë për hapjen e negociatave inkuadruese me BE-në, ndërsa referendumi më 30 shtator, potencoi, se do të jetë datë e rëndësishme në arritjen e këtyre qëllimeve strategjike.
“Referendumi do t’i japë mundësi qytetarëve të Maqedonisë ta shprehin qëndrimin e tyre për marrëveshjen. Shpresojmë se njerëzit do të dalin dhe do të votojnë, do ta shprehin qëndrimin e tyre dhe do ta bëjnë atë në atmosferë të lirë pa dezinformata dhe dekurajim. Ky është moment historik për Maqedoninë. Marrëveshja e Prespës, pasi të ratifikohet dhe zbatohet, i hap dyert drejt të ardhmes evropiane për Maqedoninë dhe qytetarët e saj”, deklaroi Palmer.
“I rekomandoj opozitës të mendojë në mënyrë strategjike rreth çështjes për referendumin. Ta vënë shtetin në radhë të parë dhe të mendojnë se cila është e ardhmja më e mirë dhe më e ndritur për qytetarët e Maqedonisë, veçanërisht për të rinjtë. Në mënyrë serioze të mendojnë se çfarë ofron marrëveshja e Prespës, si e ardhme evropiane për Maqedoninë dhe çfarë mundësi hap si dhe të mendojnë se si mund ta mbështesin këtë të ardhme dhe perspektivë evropiane”, tha Palmer.
Vizita e Palmerit është e para pas shpalljes së referendumit. Pritet që vendin deri në plebishit më 30 shtator do ta vizitojnë shumë burrështetas dhe liderë, midis të cilëve përfaqësues më të lartë të BE-së dhe NATO-s, kancelarja gjermane Merkel, kryeministri kanadez Xhastin Trudo si dhe kryeministri i ri spanjoll Pedro Sançez.